Nga Gazeta ‘SI’ – Plazhi do të kushtojë më shtrenjtë këtë verë, për të njëjtat shërbime dhe destinacione.
Ky është konkluzioni i një analize të kryer nga ekspertët e qendrës ALTAX, ku theksohet se rritja e çmimeve do të ndodhë si pasojë e deformimit që del në pah vetëm gjatë sezonit veror.
Sipas analizës, çmimet rriten në kundërshtim me rregullat e konkurrencës, si reagim ndaj mungesës së ofertës formale dhe parashikohet që fenomeni të jetë më i ndjeshëm në Vlorë, Sarandë dhe pikat tjera elitare të jugut.
Ky fenomen do të godasë më së shumti konsumatorët vendas, që nuk munden të përjetojnë pushime cilësore dhe ekonomike në vendlindje, por edhe turistët. Turistët që vizitojnë Shqipërinë, me buxhet mesatar do të largohen drejt një tjetër destinacioni.
Ekspertët analizojnë se Shqipëria ka krijuar një ekonomi që nuk kontrollon dot çmimet, me para cash, informalitet dhe cilësi të dobët shërbimesh. Ky fenomen shton spekulimin me çmimet, minimizon ndikimin e politikave monetare ose fiskale në frenimin e rritjes së çmimeve dhe e bën të vështirë monitorimin real të marzheve të fitimit dhe çmimeve për konsumatorin fundor. Kapacitetet e dobëta monitoruese të shtetit janë të njohura. Në shumë zona turistike nuk ka kontrolle reale mbi çmimet nuk ka inspektime eficente për kushtet e punës, si dhe nuk ka analizë të vazhdueshme mbi çmimet e formuara.
Analiza e quan sezonin e verës një “stress-test” për ekonominë e vendit, ku rezulton se mbijetojnë më të fortët, zakonisht ata informalë. Rritja e kërkesës së përqendruar në pak javë të verës përballet me një ofertë të informalizuar, të përkohshme dhe shpesh spekulative; Çmimet nuk kontrollohen nga kostoja reale, por nga pritshmëritë e fitimit të shpejtë.
“Në vend që të ndërtojmë një treg të qëndrueshëm, ku operatorët konkurrues rrisin cilësinë dhe punësojnë në mënyrë të rregullt, jemi duke krijuar një klimë ku vetëm më të fortët informalë mbijetojnë”.
Asimetria e zhvillimit të turizmit, kryesisht në jug dhe qendër, krijon atë që njihet si “balonë çmimi”, ku rritja artificiale e kërkesës për shërbim të kufizuar sjell shpërthime të menjëhershme në çmime.
Një presion tjetër mbi çmimet është edhe importi. Duke qenë se Shqipëria importon shumicën e produkteve ushqimore dhe të konsumit për turizëm, çdo luhatje në kursin e këmbimit ose rritje e çmimeve ndërkombëtare reflektohet drejtpërdrejt në treg. Tregjet e lokalizuara dhe mungesa e tregut të brendshëm konkurrues. Mungesa e zinxhirëve të mirëstrukturuar të furnizimit lokal e shtyn rritjen e çmimeve, sepse operatorët mbështeten në pak burime dhe përballen me kosto të larta logjistike.
Sezoni turistik nuk krijon probleme. Ai vetëm i bën të dukshme ato që ekzistojnë gjatë gjithë vitit: mungesën e konkurrencës, informalitetin, shtetin që nuk rregullon, dhe një model ekonomik që gjeneron konsum të shpejtë, por jo zhvillim të qëndrueshëm. Çmimet do të rriten, dhe kjo nuk është as shenjë tregu të lirë, as sukses turistik. Është sinjal alarmi i një sistemi që shfrytëzon sezonin për të maskuar dështimet e veta.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.