Nga Gazeta ‘SI’ – Në një raportim të përbashkët, Drejtoria e Ujësjellës Kanalizimeve dhe Enti Rregullator i Ujit, analizojnë problematikat që po has ky sektor për shkak të ndryshimeve klimatike.
Duke përmendur thatësirat e tejzgjatura, që krijojnë probleme në furnizimin e rezervave ujore, UK dhe ERRU sugjerojnë që masat për monitorimin dhe menaxhimin e baseneve ujore të jenë pjesë e Planeve të Menaxhimit të Riskut, të cilat duhet t’i disponojnë shoqëritë UK.
Raporti thotë se 75 % e Kërkesës për Ujë për shoqëritë UK mbulohet nga basenet nëntokësore ujore dhe burime malore (kaptazhe), ndërsa pjesa tjetër mbulohet me basene sipërfaqësore (Tirana).
Ato kërkojnë dhe futjen e sistemeve digjitale në këtë sektor.
“Për këtë qëllim, në të gjitha basenet ujore nëntokësore duhet të instalohen sisteme piezometrike me sensorë (thënë ndryshe, një sistem i digjitalizuar) që duhet të monitorojnë online këto rezerva ujore që duhet të kryhen nga Zyrat e Administrimit të Baseneve Ujore. Konstatimi i uljes së niveleve të tyre nën ose afër niveleve kritike të përcaktuara për shfrytëzim duhet të përbëjë një sinjal alarmi për të ndërmarrë më tej masat përkatëse për përballimin e kërkesës për ujë. E njëjta gjë duhet të realizohet edhe për ujërat e burimeve malore që përdoren nga shoqëritë UK” nënvizojnë insitucionet.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.