Menaxhim

Analiza e Bankës Botërore: Nga madhësia e kufizuar tek mungesa e fondeve, 4 sfidat e bujqësisë së Shqipërisë dhe Ballkanit

Nga Banka Botërore* – Shtatë vendet e Ballkanit Perëndimor—Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, dhe Serbia—kanë zgjeruar ekonominë e tyre që nga fillimi i viteve 1990, duke u bashkuar me grupin e vendeve me të ardhura mesatare të larta. Megjithëse ekonomitë e tyre janë më të diversifikuara sot, bujqësia ende punëson një të tretën e fuqisë punëtore dhe është një burim i rëndësishëm i mirëqenies në disa vende si Shqipëria. Investimi në bujqësi për rritjen e produktivitetit, konkurrueshmërisë dhe përballueshmëria në mes të kushteve të këqija të motit në Europë si pasojë e ndryshimeve klimatike është kritik për të ndihmuar rajonin të përfitojë nga mundësitë e reja që vijnë së bashku me procesin vazhdueshëm të anëtarësimit në Bashkimin Europian (BE).

Sektori i bujqësisë në Ballkanin Perëndimor aktualisht ka një prodhim relativisht të ulët të karbonit, por kjo është kryesisht pasojë e përhapjes së lartë të hapësirave rurale dhe intensitetit të ulët të bujqësisë por jo rezultat i zgjedhjeve strategjike të politikave. Për të adresuar ndikimet e rritura të klimës, Ballkani Perëndimor duhet të përballojë katër sfidat kryesore që kanë vazhduar të ndikojnë në komunitetet bujqësore – çështjet strukturore në sistemet bujqësore, mbështetjen e lidhur me prodhimin bujqësor (të tilla si subvencionet lidhur me prodhimin e kulturave dhe/ose produkteve të kafshëve), procesin e ngadalshëm të “gjelbërimit”, dhe kapacitetin e dobët institucional.

Fermat e fragmentuara dhe mbijetesa e tyre. Masa mesatare e një ferme në Ballkanin Perëndimor varjon nga një e treta në Serbi tek një e dhjeta në Shqipëri, e mesatares europiane, që është 16 hektarë. Fermat ‘mbijetuese’, gjenden akoma në shumë vende. Ato karakterizohen nga sisteme prodhuese me intensitet të ulët, përdorimi i kufizuar i plehrave dhe kimikateve, prodhimi në rënie blegtorale dhe emetimet më të ulëta të gazeve serrë bujqësore. Madhësia e vogël e fermës dhe emigracioni masiv rural pengojnë investimet, duke e mbajtur sektorin më pak produktiv dhe konkurrues.

Shpenzimet publike joproduktive. Pavarësisht një buxheti bujqësor të konsiderueshëm dhe në rritje si pjesë e PBB-së dhe rritjes së asistencës së para-anëtarësimit (IPARD) dhe financimit të donatorëve, Ballkani Perëndimor përballet me një hendek të madh me BE-në në mbështetjen e bujqësisë së zgjuar për klimën. Për më tepër, shpenzimet publike aktuale u përqendruan në mbështetjen e rritjes së prodhimit përmes subvencioneve, duke mos përputhur me Politikën e re të Përbashkët Bujqësore të BE-së (CAP). Formimi i kapitalit të fermave dhe investimet në Sistemin e Njohurive dhe Inovacionit Bujqësor (AKIS) janë dukshëm të pakta në krahasim me BE-në, duke i lënë fermat pa kapital dhe më pak produktive.

Mungesa e digjitalizimit për bujqësinë “e zgjuar” dhe klimën. Shumica e vendeve të Ballkanit Perëndimor u mungojnë sistemet digjitale këshilluese në ferma për përhapjen e bujqësisë së zgjuar për klimën, e cila synon trefishim të produktivitetit dhe të ardhurave, elasticitet klimatik dhe reduktim të emetimeve. Një qasje e integruar mund të transformojë bujqësinë në Ballkanin Perëndimor.

Kapacitet i kufizuar institucional. Për të përfituar nga reformat në bujqësi, rritja e investimeve është e nevojshme për të nxitur institucionet që ofrojnë shërbime publike thelbësore. Nevojiten fonde dhe vëmendje shtesë nga autoritetet për masat dhe laboratorët e sigurisë ushqimore, kërkimin, inovacionin dhe zgjerimin, marketingun dhe infrastrukturën logjistike.

Megjithëse gjurma aktuale e karbonit në sektorin e bujqësisë në Ballkanin Perëndimor është më e vogël se mesatarja e BE-së, emetimet e bujqësisë pritet të rriten me konvergjencën e vazhdueshme të rajonit me bllokun.

Fokusi i Bankës Botërore për Gjelbërimin e Bujqësisë në Ballkanin Perëndimor ofron shpresë, në përputhje me Agjendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor. Raporti propozon tetë rekomandime politikash, duke nxjerrë mësime nga tranzicioni i gjelbër i bujqësisë i BE-së dhe duke marrë parasysh zonat e ndryshme agro-ekologjike dhe peizazhet natyrore të rajonit. Së bashku me procesin e gjelbërimit, në qendër të vëmendjes theksohet rëndësia e politikave sociale që mbështesin diversifikimin në fermë dhe mundësitë alternative ekonomike për të siguruar një transformim të drejtë dhe rezistent ndaj klimës së ekonomisë bujqësore dhe rurale të rajonit, duke ndihmuar në ndërtimin e një të ardhmeje më elastike dhe të qëndrueshme.

*Analizë nga Banka Botërore


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë