Gazeta Si – Bilanci i vitit 2022 në fushën e rendit dhe sigurisë ka qenë i suksesshëm sipas Bledi Çuçit.
Nga ambientet e Ministrisë së Brendshme, kreu i këtij institucioni, në krah të ministrit të Drejtësisë Ulsi Manja, bëri prezantimin e arritjeve gjatë vitit 2022 dhe objektivat për vitin 2023.
Çuçi tha këtë të mërkurë se në vitin 2022, ka pasur vetëm 43 vrasje me dashje, duke e konsideruar si vitin më me pak vrasje në Shqipëri.
Në raport me vitin 2013, kur PS mori pushtetin, ai theksoi se kjo është një arritje në fushën e sigurisë.
“Vrasjet me dashje gjatë 2022, 43 vrasje me dashje, një rekord. Numri, të paktën këto vitet e tranzicionit, me kompetencë ju them se viti 2022 ka qenë viti me më pak vrasje në Shqipëri. 107 ishte në kohën kur morëm qeverisjen. Viktima nga vrasje me dashje, 49 viktima, krahasuar me 104 në vitin 2013. Vjedhje me armë 11, 96 në 2013-ën. Nuk është për të parë anën e mirë në cilësinë e Ministrit të Brendshëm, por duhet të dimë nga vijmë për të shtruar rrugën para”, – shtoi ai.
Ministri sqaroi se do të ketë sektorë të veçuar në luftën kundër krimit të organizuar. Pra, do të ketë një drejtori për trafikun e drogës, grupet e organizuara dhe për krimet e rënda.
“Kjo është një reformë që ka qenë gjithnjë e rekomanduar nga partnerët tanë. Por që më në fund gjatë 2022 ne arritëm të bëjmë hapin e parë. Policia kriminale, duke filluar nga ky vit do të merret me krime të posaçme. Pra do ndahen në kategori, pothuajse në vendet perëndimore. Këtë ndarje duhet ta bëjmë nga qendra, – tha Çuçi. – Gjatë 2023, do vijojmë shtrirjen e vertikalitetit edhe në vendet e tjera. Kemi ndarë një drejtori të veçante me narkotikët, një që do merret me grupet e organizuara dhe me krimet e rënda. Pra do jenë të ndara në departamente. Unë besoj që ky ristrukturim do i japë shtysë shumë të madhe dhe shumë shpejt do shohim pritshmëri të reja në luftën kundër trafikut njerëzor, bandave të strukturuara etj”.
Sipas tij, “do ketë një strukturë të veçantë në polici për krimet e rënda dhe krimet e organizuara. Bandat e strukturuara kriminale shqiptare kanë marrë vëmendjen jo vetën në vend, por edhe gjithë botës për krimet e tyre”, theksoi ndër të tjera ministri i Brendshëm.
Çuçi deklaroi se puna për vitin që sapo ka nisur, është fokusuar tek forcimi për luftën e krimeve kibernetike.
“I kemi parashikuar në buxhetin e ri të 2023, mbetet gjithmonë një sfidë, është një sfidë që e kalon gjithë bota. Askush nuk është 100% i mbrotjur, me masat që kemi marrë në përfundim të ngritjes së Agjensisë kombëtare me sokët sektoriale, unë besoj se do jemi një nga vendet me infrastrukturën më të mirë me mbrojtjen kibernetike” – u shpreh Çuçi.
Po ashtu, pas publikimit të të dhënave të shqiptrëve, përfshirë dhe llogaritë bankare, Çuçi thotë se qeveria do të rrisë në mënyrë të ndjeshme investimet për mbrojtjen në internet me 7.6 herë më shumë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




