Histori

Ana e errët e Bernd Stange, trajnerit "spiun" që adhuronte diktatorët

Ka punuar për Gjermaninë Lindore të Honecker-it, Irakun e Saddam-it, Bachir Al Asad në Siri dhe për një kohë të shkurtër ka qenë këshilltar pranë Federatës  së Futbollit të Koresë së Veriut. Kur është pyetur nëse ndihet si "avokati i djallit", ai dha këtë përgjigje: "Valuta dhe kombet nuk kanë asnjë rëndësi në futboll. Nuk ka asnjë ndryshim nëse paguhesh në dollarë, euro, paund ose dinarë irakianë. E vetmja gjë që ka rëndësi është të punosh, për të sjellë në shtëpi një rrogë që të lejon të jetosh ”.

Me Gjermaninë Lindore

Aventurat e tij meritojnë të mblidhen në një roman, sepse Stange, 71 vjeç, duket si një personazh i dalë nga librat. Të jep idenë e një agjenti, i cili kudo ku ka stërvitur, ka qenë me një mision sekret. Por, lidhja midis Stange dhe shërbimeve sekrete nuk është diçka imagjinare. Për vite me radhë emri i tij ka qenë i lidhur me Stasin, organizatën e tmerrshme të sigurisë dhe spiunazhit të ish-Gjermanisë Lindore. "Gjëra të vjetra që datojnë që para rënies së Murit, histori që askush nuk ka arritur ta demonstrojë në mënyrë konkrete". Dhe këtu ai gabohet, sepse në dokumentet e deklasifikuara, pas nëntorit 1989 dhe që i përkasin ministrit të atëhershëm të Sigurisë Erich Mielke, emri i Stange del në mesin e atyre që janë në borderonë e Stasit, në lidhje me sportin. Në atë listë ndodhet edhe emri i Matthias Sammer, si dhe emri i Jan Tomaszewski, portier i Polonisë në vitet shtatëdhjetë.

Stange u emërua si trajner i Gjermanisë Lindore jo vetëm për aftësitë e tij sportive, por edhe për të monitoruar lojtarët dhe për të raportuar nëse ndonjë prej tyre synonte të kalonte kufirin ose të shiste informacione në perëndim. Në shkurt 2003, ai u kontaktua personalisht nga Saddam Hussein për të drejtuar kombëtaren e Irakut. Është një moment i rëndësishëm për të ardhmen e Bagdadit. Vendi ishte në alarm nga sulmi amerikan dhe duhej monitoruar gjithçka, përfshirë këtu edhe "Luanët e Mesopotamisë", lojtarët e kombëtares. Raportet e hartuara nga Stange përfundojnë në tryezën e "gjaknxehtit’’ Uday, djalit të Saddamit.

Me kombëtaren e Irakut

Stange i ka mohuar gjithmonë me forcë akuzat, duke deklaruar: "Kërkojini shpjegime protagonistëve të kësaj historie, por unë dyshoj se ata kanë mundësinë ta bëjnë këtë". Ai pretendon se ka vetëm një "punëdhënës", FIFA-n, që financon trajnerë të gatshëm të punojnë jashtë vendit, për kombëtaret e botës së tretë. "Emri im ishte në listën e misionarëve të futbollit. Isha i papunë dhe kurrë nuk kam takuar askënd që jeton me ajër ".

Në Bagdad, vështirësitë për Stange ishin të përditshme, por pesha e përgjegjësisë nuk e ndaluan. "Askund nuk është shkruar se të punosh në Irak duhet të vdesësh nën bomba, ose të copëtohesh nga një luan në Kamerun, ose të kafshohesh nga një gjarpër helmues në Australi”. Ai ishte gjithashtu me fat, sepse një grup rebelësh u përpoqën ta vrisnin atë, ndërkohë që po udhëtonte nga hoteli drejt zyrave të federatës. Plumbi i destinuar për 007 gjerman, përfundoi në kokën e shoferit të tij. Në atë pikë Stange u arratis për në Jordani, jo përpara se t'i jepte familjes Huseini, emrat e lojtarëve jo besnikë ndaj presidentit.

Me kombëtaren e Sirise

Tre vjet më vonë, e njëjta histori u përsërit në Siri. Edhe në momentet më dramatike, kur vendi po shkonte drejt një lufte civile, Al Asad nuk donte të ndalonte kampionatin e futbollit, që në fund u shndërrua në një turne të brendshëm midis ekipeve të Damaskut. Kur Stange zbarkoi në Siri më 31 Janar 2018, shumë njerëz u përballën me një film të parë tashmë.

Kombëtarja e futbollit është e strukturuar kryesisht nga futbollistët të Al Jaish, skuadra e ushtrisë. Presidenti sirian, veçanërisht pas dezertimit të bujshëm të mikut të tij të fëmijërisë, gjeneralit Manaf Tlass (i cili fillimisht iku në Turqi dhe më pas u zhvendos në Francë), dëshironte të kishte situatën nën kontroll dhe tekniku gjerman doli vullnetar në demaskimin e kundërshtarëve në botën e sportit.

Damasku si Bagdadi dhe Berlini, ajo që ka rëndësi për Stangen është rezultati, jo ai sportiv. Detyra e fundit në Pyongyang, çon në një lloj mbylljeje të rrethit për avokatin e djallit. Një histori ku sporti dhe politika kryqëzohen në ato vende ku demokracia është diçka e rrallë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë