Politike

Amnistia penale si test politik. Do të ketë armëpushim PS-PD për të shpëtuar Salianjin? Flet nismëtari Ferdinand Xhaferraj.

Amnistia penale, e paraqitur nga qeveria për miratim në parlament, ka diktuar një situatë interesante në kampet politike. Për miratimin e saj nevojiten 84 vota, të cilat PS nuk i ka e vetme, që do të thotë se nëse kërkon miratimin e saj, i duhen disa vota nga opozita. Dhe lëvizjet në këtë drejtim nuk kanë munguar

Për surprizën e të gjithëve, deputeti demokrat Ferdinand Xhaferraj, jo vetëm mori pjesë këtë javë në Komisionin e Sigurisë, por, gjatë seancës, ku amnistia do të diskutohej në parim, deklaroi dorëzimin e një amendamenti akoma më surprizë sesa pjesëmarrja e tij në komision. Në një kohë, kur grupi i tij parlamentar ka vendosur të mos marrë pjesë në komisione dhe të bejë ç’të mundet për të kthyer në anormalitet jetën parlamentare, zoti Xhaferraj u kërkoi deputetëve socialistë bashkëpunim për amendamentin e tij. Njohësit e fushës penale e etiketetuan menjëherë amendamentin e paraqitur si amendamentin “Salianji”, pasi ai i vjen në ndihmë deputetit të PD, Ervin Salianji. Në një intervistë për Gazetën Si, deputeti nismëtar Ferdinand Xhaferraj u përpoq të fokusohej tek përfitimi i protestuesve demokratë më shumë sesa përfitimini deputetit Salianji. Ai u dënua nga gjykata e shkallës së parë për veprën penale të “Kallëzimit të rremë” kundër vëllait të Ministrit të Brendshëm të kohës, Fatmir Xhafaj, sipas gjykatës, në një çështje të sajuar për trafikim droge. Përshtypjet e para të dhëna nga qeveria nuk duken kategorikisht refuzuese ndaj amendamentit, por loja sapo ka nisur. A do të lobojë Ferdinand Xhaferraj për miratimin e amendamentit që shpëton nga përballja me Gjykatën e Apelit Ervin Salianjin?

Gazeta Si: Zoti Xhaferraj, ju morët pjesë këtë javë në Komisionin e Sigurisë Kombëtare për të diskutuar për amnistinë penale. Pse ky vendim, kur qendrimi i grupit është për të mos lejuar normalitet në jetën parlamentare?

Ferdinand Xhaferraj: Unë kam mbështetur dhe vazhdoj të mbështes, sikundër edhe në seancën e fundit plenare, qendrimin e opozitës për të drejtat që i janë mohuar dhe vazhdojnë t’i mohohen për komisionet hetimore dhe për komisionin e reformës zgjedhore. Por, kjo nuk do të thotë që, për çështje specifike dhe krejtësisht në shërbim të qytetarëve, të mos ushtrojmë të drejtat, me të cilat na ka pajisur kushtetuta si ligjvënës. 

Gazeta Si: Amendamenti që ju paraqitët çliron nga përgjegjësia penale edhe deputetin Ervin Salianji, i cili ka një vendim dënimi nga gjykata e shkallës së parë për kallëzim të rremë. A po ndihmoni me këtë rast kolegun tuaj?

Ferdinand Xhaferraj: Amendamenti që unë paraqita rregullon një padrejtësi ndaj një grupi shoqëror që amnistia, siç është paraqitur nga qeveria, nuk e perfshin. Pra, të gjithë ata individë që janë dënuar nga gjykata e shkallës së parë deri në dy vite dhe presin vendimin e Gjykatës së Apelit, nën frymën e amnistisë, duhet të jenë përfitues.

Gazeta Si: Kur prezantuat në komision se keni dorëzuar një amendament, u shprehët se do të donit që të gjenit gjuhën e përbashkët me maxhorancën. Si mundësohet kjo, kur ju keni një konflikt me të për mohimin e të drejtave tuaja kushtetuese?

Ferdinand Xhaferraj: Kjo ndërhyrje është për një çështje specifike që dhënien e amnistisë e mundëson për të gjitha grupet shoqëore që duhet ta përfitojnë.

Gazeta Si: A duhet të kishit marrë më parë konsensusin e kolegëve deputetë të grupit tuaj përpara dorëzimit të amendamentit, për shkak të raporteve jonornale që keni si grup me parlamentin? 

Ferdinand Xhaferraj: Nuk besoj se mungon konsensusi në grup, kur nga amendamenti përfitojnë edhe dhjetëra qytetarë dhe demokratë që kanë protestuar kundër qeverisë para zgjedhjeve të 2021 dhe akoma enden gjyqeve. 

Gazeta Si: Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja nuk ka mohuar në parim një diskutim për amedamentin tuaj, por ai thotë se nuk duhen bërë ligje për emra të veçantë, siç është rasti Salianji, dhe se opozita nuk mund ta kushtëzojë votën me këtë gjë. Mund të bëhet pengesë për konsensus ky qendrim?

Ferdinand Xhaferraj: Sapo theksova që përfitojnë dhjetëra qytetarë dhe demokratë protestues kundër qeverisë dhe për ministrin Manja mund të konsiderohen si emër i perveçëm, sepse janë të gjithë në unison dhe të unifikuar në protestën kundër qeverisë. Ministri nuk ishte në komision dhe do te ishte më serioze që të komentonte mbasi të lexonte amendamentin. 

Gazeta Si: Çfarë pritshmërie keni nga maxhoranca për propozimin tuaj? Ju vetë, do të përpiqeni të loboni personalisht, pavarësisht vendimit të grupit?

Ferdinand Xhaferraj: Amendamenti është i depozituar dhe unë thjesht kam kërkuar që amnistia të jetë gjithëpërfshirëse dhe jo diskriminuese.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë