Politike

Amnistia penale ‘bashkon’ Bashën dhe Rithemelimin, nuk votojnë paketën e PS të enjten

Partia Demokratike e drejtuar nga Lulzim Basha dhe ajo e Rithemelimit në anën tjetër të paktën në një pikë janë bashkuar.

Ata nuk do të votojnë nesër paketën e amnistisë penale depozituar për votim në seancën plenare.

Sekretari për Çështjet Ligjore në PD, Indrit Sefa, tha se votat e PD-së nuk do të jene pro, nisur nga ndryshimet e fundit të qeverisë, qe parashikonte se edhe personat e dënuar nga GJKKO mund të përfitojnë ulje dënimi nga 1 deri në 1.5 vite burg. 

“Sot ministri i drejtësisë doli pa u skuqur dhe pa u zverdhur si burracak për të justifikuar vendimin që synon të amnistojë të korruptuarit e tyre. Me një akt tinëzar ne ditën e fundit të diskutimit ndryshuan projektligjin për amnistinë duke i çuar dhe një mesazh kriminal SPAK dhe Gjykatës, se ata mund të dënojnë të korruptuarit, por Edi Rama do ti falë ata. Kjo është kriminale. Sot ministri anti-SPAK duhet tu tregonte shqiptarëve:  Kush ka kërkuar shfuqizimin e germës c) pika 2 te neni 5? Kush e ka kërkuar ndryshimin e pikës 3 të nenit 6 ? Për cilët persona janë kërkuar këto ndryshime?  Pse u ndryshua dje me fshehtësi dhe nuk u diskutua më herët?

Me amendamentet anti-SPAK synohet që çdo i korruptuar, çdo hajdut tenderash publikë, çdo hajdut pronash, çdo zullumqar i kësaj qeverie i dënuar me vendim të formës së prerë, të përfitojnë ulje dënimi 1 vit meshkujt dhe 1.5 vite femrat.

Me këtë amendament  mundësohet që funksionarët publikë të përfitojnë nga ndjekja penale dhe nga hetimet ndaj tyre:”, tha Sefa

Në anën tjetër edhe PD- e Rithemelimit pas mbledhjes së grupit ka vendosur të mos bashkojë votat me PS-në.

“Amnistia është kthyer në një akt jo transparent, në një akt ku secili në mënyrë të fshehtë shton dhe heq sipas interesit të tij. Ne prej muajsh jemi në një aksion brenda Kuvendit dhe ky aksion do të vijojë. Amnistia është një akt humanizmi, duhet të qëndrojë larg sherrnajave mazhorancë-opozitë, ka qenë një akt konsensual, por s’ka pasur asnjë procedurë konsensuale për të dalë me një draft të përbashkët”, tha Bardhi.

Bardhi tha se nuk është publikuar drafti final që do të çohet për votim në Kuvend.

“Nuk e kemi versionin zyrtar, se kush është versioni final. Këta ftojnë nesër deputetë të votojnë, ndërkohë që nuk dihet se kush është drafti final i amnistisë”, tha Bardhi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë