Politike

Amnistia penale/ Alibeaj: Të falen protestuesit e PD. Por vetëm ata që u drejtuan nga Basha, jo ata nga Berisha (si po negociohet për votat)

Amnistia penale/ Alibeaj: Të falen protestuesit e PD. Por vetëm ata që u drejtuan nga Basha, jo ata nga Berisha (si po negociohet për votat)

Nga Gazeta Si - Një ditë para se të vendoset nëse do të futet në rend dite paketa e amnistisë penale, deputeti i PD-së, zyrtare, Enkelejd Alibeaj ka depozituar një amendament me tre nene që në thelb synon të “shpëtojë” ata që janë të dënuar për veprat penale të kryera gjatë tubimeve apo protestave politike. Më pak fjalë, të shpëtojnë protestuesit që janë dënuar apo janë ende në procese gjyqësore me arsyen e vetme se kanë marrë pjesë në tubimet pa leje të PD-së, por me një dallim thelbësor.

Alibeaj e ka kufizuar kohën e dhënies se amnistisë për vetëm ata protestues që kanë marrë pjesë në tubimet e Lulzim Bashës, konkretisht për periudhën 2018-2020 atëherë kur PD-ja ishte ende e bashkuar dhe kur protestat drejtoheshin nga Lulzim Basha.        

“Në nenin 3, pika 1 shtohet shkronja ë) me përmbajtjen si vijon:

“ë) personat e dënuar për veprat penale të parashikuara nga nenet 150, 151, 235, 236, 237 dhe 282 të Kodit Penal, të kryera gjatë tubimeve ose protestave politike dhe qytetare të organizuara në periudhën 01.10.2018 – 31.12.2020”....

Pas nenit 6, shtohet neni 6/1 me përmbajtjen si vijon: “Neni 6/1

Përjashtohen nga ndjekja penale si dhe pushohen të gjitha çështjet penale në hetim, çështjet e pashqyrtuara ose në proces shqyrtimi nga gjykatat, si dhe për kallëzimet që ndodhen në këto organe, pavarësisht nga data e regjistrimit të tyre, për veprat penale të kryera gjatë tubimeve apo protestave politike dhe qytetare të organizuara në periudhën 01.10.2018 – 31.12.2020, të parashikuara nga nenet 150, 151, 235, 236, 237 dhe 282, të Kodit Penal”, propozon Alibeaj.

Ndryshe nga propozimi Xhaferraj që ka një kohështrirje më të gjatë të faljes së protestuesve, amendamenti Alibeaj nuk përfshin as ndonjë nen për Ervin Salianjin (që është futur tek propozimi Xhaferraj) i dënuar në thelb për një aksion politik të ndërmarrë nga selia blu në kohën kur PD-ja drejtohej nga Lulzim Basha nën të njëjtën çati me Sali Berishën.

Propozimi i Alibeajt vjen edhe në një kohe kur PS-ja kërkon domosdoshmërisht votat nga opozita, e kur pak ditë më parë, Bledi Çuçi u shpreh i hapur për bashkëpunim, porse Gazment Bardhi e kushtëzoi më pas votën me plotësimin e kërkesave të grupit të PD-së.

Propozimi në moment të fundit i Alibeajt mund t’i shërbejë edhe këtij qëllimi. Gjithçka do të mësohet nesër, nëse ajo futet në rend dite, do të thotë se palët po lëvizin për votat. Nëse shtyhet, atëherë gjithçka do t’i mbetet negociatave të ditëve në vijim.

E nëse ndodh, ky është bashkimi i parë i votave të PS me palën Basha, ç'ka do t'i paraprijë votimit të reformës zgjedhore nëse ata e mbyllin pa pjesen e Bardhit dhe Rithemelimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë