Nga Gazeta ‘SI’ -Drejtuesja e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Mimoza Kaçi njoftoi para deputetëve se nga 1 janari i 2026-s, hyn në fuqi sistemi Bonus-Malus i sigurimit të mjetit.
Para deputetëve në komisionin e Ekonomisë, Kaçi tha se sipas shifrave janë 96% të shoferëve që do të trajtohen me bonuse dhe 3.8% që do të penalizohen, sipas historikut dhe incidencës së dëmeve.
“Shqipëria ka një frekuencë të lartë dëmi, por ecuria e pagesës së dëmit është pozitive.Bonuset dhe penalizimet do të ndahen sipas diapazonëve të përcaktuara në rregullore, me qëllim incentivimin e drejtuesve për të ulur numrin e dëmeve dhe aksidenteve”, tha drejtuesja e AMF-së.
Deputeti i PD-së, Eno Bozdo pyeti Kaçin për punën e mbetur pezull me tregun e kriptomonedhave. “Tregjet e kriptovalutave ekzistojnë në Shqipëri. Janë burim kryesor i pastrimit të parave të pista, për shkak se janë të parregulluara, debat që zgjat me vite. Ky duhet të jetë priorit absolut i punës tuaj. Të paktën të sjellë qartësi dhe transparencë për investitorët seriozë që duan të luajnë. Nuk mund ta lëmë kështu dhe më pas të shikojmë se si bie euro”, tha Bozdo.
Në përgjigjen e saj, drejtuesja e AMF, tha se deri në fund të vitit 2025, parashikohet të publikohet drafti që do të legjitimojë aktivitetin e kriptomonedhave në vend.
“Kemi punuar për draftimin e ligjit, jemi në një grup pune të përfshira AMF, BSH, Ministria e Ekonomisë. Kemi përgatitur një draft i parë, po diskutohet në grupin e punës dhe deri në fund të vitit mendohet që ne të publikojmë draftin”, tha Kaçi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



