Menaxhim

AMF i hap rrugë licencimit të subjekteve që do të ushtrojnë aktivitetet e kriptomonedhave

Nga Gazeta 'SI' - Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka miratuar rregulloren e tretë për aktivitetin e kriptomonedhave në Shqipëri, atë të subjekteve  që ushtrojnë aktivitetin si bursë DLT.

Bursa DLT Distributed ledger technology, (Teknologjia  e Regjistrave të Shpërndarë), janë pikat ku mund të shkëmbehen dhe bëhen transaksionet e tokenëvve digjitalë, kriptove. DLT do të ketë tri lloje licencash, A, B, C.

Licenca e kategorisë A, ku mund të tregtohen vetëm token digjital shërbimesh, token digjital asetesh dhe token digjital pagesash; licenca e kategorisë B, ku krahas veprimtarisë së lejuar për kategorinë A, mund të tregtohet gjithashtu para’ FIAT dhe monedha virtuale dhe licenca e kategorisë C, ku krahas veprimtarisë së lejuar për kategorinë A dhe B, mund të tregtohen gjithashtu edhe token digjitalë të titujve.

Që një subjekt të licencohet duhet të plotësojë kriteret që rregullorja e AMF-së përcakton. Fillimisht, ajo duhet të deklarojë një kapital fillestar nga jo më pak se 20 mln lekë dhe jo më shumë se 90 mln lekë, ose sa 1/4 e shpenzimeve të përgjithshme fikse të vitit paraardhës, të rishikuara çdo vit.

Subjektet që do të ushtrojnë veprimtarinë e tyre në tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e blockchain mund të mbulojnë përgjegjësinë e tyre profesionale përmes një police sigurimi e cila ka një afat fillestar jo më pak se një vit dhe ka një periudhë njoftimi për anulimin e saj prej të paktën 90 ditësh.

Polica e sigurimit duhet të përfshijë mbulimin kundrejt rrezikut të humbjes së dokumenteve, paraqitjes së informacionit të rremë apo mashtrues, veprime ose mosveprime që rezultojnë në shkelje të detyrimeve ligjore dhe rregullatore, humbjet që vijnë nga ndërprerja e veprimtarisë së shoqërisë ose dëmtimet e sistemit, humbjes që vjen nga moszbatimi i politikave dhe rregullave në kuadër të ruajtjes së të dhënave ose sulmeve kibernetike, etj.

Bursa do të monitorohet nga AMF dhe AKSHI, të cilët pritet të ngrejnë një komision të përbashkët për këtë veprimtari.

Ligjërimi i aktivitetit të kriptove ka nisur që nga shtatori 2020, kur u miratua për herë të parë “Për tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë”, por nuk gjeti dot zbatim nga mungesa e akteve nënligjore. Më pas, nëntorin e kaluar, AMF miratoi dy rregulloret e para, në ndihmë të ligjit, “Për mjaftueshmërinë e kapitalit dhe fondet e veta të subjekteve që ushtrojnë veprimtarinë në tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë” dhe “Për licencimin e subjekteve që ushtrojnë veprimtarinë si agjent i tokenit digjital”.

Pengesat ligjore kanë sjellë dhe pengesë në licencimin e subjekteve, por jo në ushtrimin e veprimtarisë, e cila është bërë nga subjekte të palicencuara ose ndërmjetës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë