Lajme

Ambasadorja e OSBE: S’kam vëzhguar kurrë votime pa pakicën

Misioni i OSBE-ODHIR me mision vëzhgimin e zgjedhjeve të 30 qershorit 2019 në Shqipëri po mban një konferencë për mediat sot në Tiranë.
Drejtuesja e misionit të OSBE/ODIHR-it për vëzhgimin e zgjedhjeve, ambasadorja Audrey Glover, paraqiti rolin e misionit dhe aktivitetet e ardhshme, ku tha se misioni do të ketë 10 vëzhgues bërthamë, 18 vëzhgues afatgjatë dhe 250 vëzhgues afatshkurtër.
“Anëtarët janë 10 dhe janë ekspertë ligjore, analistë politikë dhe për zgjedhjet. Do të kemi edhe 18 vëzhgues afatgjatë dhe do të dërgohen në të gjithë vendin. Direkt para zgjedhjeve shpresojmë që të kemi 250 vëzhgues afatshkurtër. Inkurajoj të shikojmë me prioritet, pasi afati për aplikimin për vëzhguesit afat shkurtër është 10 ditë nga sot. Kemi ardhur pa ndonjë ide apo axhendë të fiksuar. Ne do të lëmë faktet që të flasin. Administrimi i zgjedhje do të jetë në fokus të punës sonë”, u shpreh ambasadorja.
Ambasadorja Audrey Glover e pyetur nga gazetarët sesi do ishte vëzhgimi i zgjedhjeve nëse opozita e bashkuar nuk pranon të jetë pjesë e tyre, është shprehur se misioni i OSBE-ODHIR do të bëjë atë që ka bërë gjithmonë, një vëzhgim teknik të procesit.
“Siç e kam thënë gjithmonë, roli ynë është të japim një vëzhgim teknik të këtij procesi. Është roli i qeverisë që duhet të vendosë si do i përdorë rekomandimet tona”, është shprehur ambasadorja Glover.
Ndër të tjera, ambasadorja theksoi se nuk i ka ndodhur asnjëherë të vëzhgojë zgjedhje ku opozita nuk ka marrë pjesë.
“Nuk kam marrë kurrë pjesë në vëzhgim të zgjedhjeve ku opozita nuk ka marrë pjesë në zgjedhje”, është shprehur ajo.
Shefja e ODIHR është pyetur edhe për mospjesëmarrjen e opozitës, por ka theksuar se kjo është një çështje që nuk i takon këtij misioni, ndaj nuk do të ndërhyjnë.
“Në fakt nuk është puna jonë të ndërhyjmë duke bërë sugjerime, ne jemi këtu për të vëzhguar zgjedhjet në mënyrë të paanshme, nuk na takon ne të ndërhyjmë apo të prononcohemi për këtë”, ka thënë ajo.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë