Ambasadori i BE në Tiranë, Luigi Soreca, pasi inspektoi procesin e numërimit në “Shkollën e Kuqe” dhe në zonën e “Vasil Shantos” në kryeqytet, në një prononcim për mediat u shpreh se procesi duhet të vijojë pa ndërprerje.
Ndër të tjera, ai tha se askush të mos dalë në përfundime pa u numëruar edhe vota e fundit.
“Po shkoj në disa qendra numërimi dhe disa prej tyre ekipet po bëjnë pushim që të rifillojë sërish. Procesi duhet të vijojë pa probleme dhe vonesa se kemi shumë gjëra për të mësuar dhe qytetarët duan të mësojnë rezultatin. Zgjedhësit shqiptarë e dhanë votën e tyre, ka pasur pjesëmarrje të lartë dhe ky është tregues i jetës demokratike në Shqipëri. Kam pritur këtë proces të ri projektin pilot në njësinë 10 si shenjë e mirë e funksionimit të procesit elektronik. Po presim me qetësi siç kanë bërë thirrje liderët dhe presidenti që të mos kalohet pa u numëruar të gjitha votat, edhe vota më e fundit. Të mos arrijmë në konkluzione pa u numëruar të gjitha votat në vend”, u shpreh ambasadori i BE.
Gjithashtu, Soreca njoftoi se në orët e vona të mbrëmjes do të ketë edhe një deklaratë nga udhëheqësit e BE-së në lidhje me procesin zgjedhor në Shqipëri, teksa paralajmëroi edhe atë të OSBE-ODIHR në orën 15:00.
“Ne do vijojmë punën tonë me vëzhgimin. Do shohim si po ecën procesi, kemi 50 skuadra në të gjithë Shqipërinë dhe do ta ndjekim procesin nga afër. Në orën 3:00 do ketë konferencë me gjetjet paraprake të OSBE ODIHR. Sot do të ketë një deklaratë nga udhëheqësit e BE”, tha ndër të tjera ambasadori.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




