Rend dhe Ligj

Alqi Bllako, provimi që nuk e kaloi dot policia

Gazeta Si - Teksa dosja nuk ishte më sekret dhe shkeljet e ish-Sekretarit të Përgjithshëm dolën në dritë të diellit, asnjë nga institucionet që përfshihen në fashikull se ekziston mundësia që ata të prishin provat apo të impaktojnë dëshmitarët, nuk u kujtua të bënte detyrën.

Megjithëse SPAK veçon në materialin e dorëzuar Gjykatës së Posaçme se duhet të mbahet parasysh ndërhyrja e personave nën hetim për të mundësuar pengimin e hetimeve, pasi po kryhen veprime në vijimësi dhe mund të ndikohet tek personat drejtpërdrejtë që kanë dijeni apo të tjerë, i dyshuari Alqi Bllako, as që po vëzhgohej dhe as që po monitorohej.

Teksa prokurorët vrapuan me masën e sigurisë që u miratua nga gjyqtarja e posaçme, Irena Gjoka, nuk dihet se ku ishin shërbimet policore të ‘pompuara’  si të suksesshme për mbikëqyrjen dhe vëzhgimin e subjekteve nën hetim.

Një forcë e tillë, quhet Forca Operacionale Lëvizëse dhe tjetra duhet të ishte Byroja Kombëtare e Hetimit,  por edhe Policia e Shtetit, që të gjitha të dështuara gjatë atyre 12 orëve kërkim, kur rreth orës 15:30 të enjten që u dha masa “arrest me burg” dhe prokurori lëshoi urdhër-ekzekutimin, policia nuk e gjeti në shtëpi.

“Rezultoi se shtetasi Alqi Edmond Bllako nuk ishte në shtëpi dhe të afërmit nuk kishin informacion se ku gjendej”, - deklaron një zyrtar policie për Gazetasi.al, ndryshe nga heshtja e gjatë e institucioneve gjatë të enjtes, që ngjan më tepër si bashkëpunim me të dyshuarin.

Kështu, nga ora 15:45 e të enjtes (kohë kur u dha vendimi i gjykatës për caktimin e masës së sigurisë për ekzekutim policisë), deri në orën 03:30 të mëngjesit të kësaj të premteje (kur u bë i mundur sipas SPAK ndalimi i tij nga Policia e Shtetit), nuk dihej se ku gjendej Alqi Bllako, ndërsa në sistemin TIMS, doli se ai nuk ishte larguar nga Shqipëria.

Megjithatë, policia u shpëtua nga arratisja pak orëshe nga vetë Alqi Bllako, i cili u vetëdorëzua duke mbyllur kërkimet e dështuara.

Një njoftim zyrtar i Policisë së Shtetit njoftoi shkurtimisht dorëzimin, por pa dhënë detaje nëse kanë nisur hetime apo jo për paaftësinë apo implikimin e policisë në këtë skenar, që nuk mund të quhet paaftësi për të vëzhguar një subjekt që pritej të arrestohej.

Detaje nga shkresat

Nuk kanë qenë vetëm dokumentet shkresore dhe as dëshmitë apo zbardhja e skemës, se si paratë për punimet që nuk kryheshin shpërndaheshin.

Por edhe shkrimi në fatura. Këtë e konfirmon akti grafik. Duke këqyrur faturat e shitjes, ekspertët e kriminalistikës i konfirmuan SPAK, se një sërë faturash në fakt në 31 episode, rezulton se pavarësisht se faturat e shitjes dhe të blerjes mbajnë emra të ndryshëm si Arenc, Enver, Shaban P., Roberto, Gentjan, firmat janë hedhur nga i njëjti person.

Konkretisht, thekson SPAK, nga analiza e aktit të ekspertimit grafik, provohet se shoqëritë Pivot 4, Sili shpk dhe J.P.Y., kanë lidhje me njëra-tjetrën dhe se faturat janë shkruar dhe nënshkruar nga i njëjti person.

“Pra, - vazhdon më tej SPAK, - provohet që këto shoqëri i shërbejnë të njëjtit person”.

Faturat shpesh pa institucion, përfshijnë përshkrim malli, sasi, çmim, vlera pa dhe me Tvsh.

Nga ana tjetër, si rrethanë provuese, llogaritet edhe e njëjta adresë siç është godina numër 8556 në Durrës, e deklaruar njëlloj edhe nga shoqëria “Sili”, edhe nga shoqëria J.P.Y.

Për SPAK, elementë të tillë janë bindës për dyshimin se transaksionet e shoqërisë “Integrated Technology Waste Treatment Fier”, me shoqëritë e mësipërme , janë fiktive dhe se ato janë krijuar posaçërisht për të mbuluar natyrën e vërtetë të tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë