Bota e Formula 1 mund të pësojë një tjetër goditje, pasi një nga pilotët e saj më të mirë në 20 vitet e fundit mund të largohet nga ky sport. Mediet italiane shkruajnë mëngjesin e kësaj të mërkure se Fernando Alonso mund të largohet nga Forumla 1 pas këtij sezoni. Spanjolli garon prej më shumë se 15 vitesh me makinat e shpejta, ku është shpallur kampion bote, por duket se tashmë e ka humbur entuziazmin e fillimit.

Për pilotin spanjoll, që ishte i pari që rrëzoi nga froni legjendën Majkëll Shumaker, është hapur mundësia që të garojë me makinat rally. Në fakt pasioni i Alonsos për makinat rally është i njohur pasi disa herë ai është parë duke ngarë makina të kësaj kategorie, por asnjëherë më parë nuk ishte aluduar se ai mund të largohej nga Formula 1. Këtë herë lajmi ka ardhur nga një zyrtar i Toyotës që merr pjesë në garën e Dakarit.

Glyn Hall ka folur për gazetat italiane, duke thënë se ekziston mundësia që Alonso të hipi në makinën e Toyotës për të garuar në garën e Dakarit. “Mendoj se po zhvillohen disa diskutime dhe ne do të shohim se çfarë do të bëjmë, pasi ka shanse që Fernando të garojë me Toyota. Nga ana jonë ai do të ketë mbështetje dhe ne jemi gati të bëjmë një punë të shkëlqyeshme. Për garën e Dakarit do të ishte mirë të kishim një shofer si Fernando. Sigurisht që edhe për ne do të ishte një pikë më shumë, por gjithashtu dhe për të gjithë sportin tonë”.- ka thënë Hall.

Kjo lëvizje e Alonsos në garat me makina rally nuk do të ishte për herë të parë në fakt, pasi të njëjtën gjë më herët e ka bërë edhe Kimi Raikonen. Finlandezi u largua nga Formula 1, pasi u shpall kampion bote dhe më pas u rikthye 3 vite më vonë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




