Dosje

‘ALO, a do investosh 500 euro në aksione’? Si mashtroheshin të huajt nga grupi i ‘Seniorëve’ dhe ‘Juniorëve’ nga Shqipëria

Sallat e Gjykatës Penale të Tiranës nuk mjaftuan për të mbajtur qoftë avokatët, qoftë të arrestuarit e aksionit “Komunikimi”. Prandaj, seanca e masave të sigurimit që drejtohet nga gjyqtarja Armela Hasantari dhe prokurorja e çështjes Ornela Rrumbullaku, u zhvendos në një ambient tjetër në brendësi të Gjykatës së Posaçme Anti-korrupsion, pasi aty sallat janë me hapësirë të konsiderueshme.

35 të arrestuar, ku mbizotëronin meshkujt dhe mes tyre edhe gjashtë gra, u futën në gjykatë përmes bodrumit të Gjykatës së Posaçme, kurse mbi 20 të tjerë, që procedohen në gjendje të lirë, nuk ishte e nevojshme që të paraqiteshin. Pas disa orësh, Gjykata e Tiranës caktoi masën e sigurisë “arrest në burg” për izraelitin, Refael Genish dhe administratorin e kompanisë, ndaj të cilëve rëndon akuza për “mashtrim kompjuterik” me “call center” për investime në bursë.

Në seancën e mbajtur këtë të hënë, për 15 operatorë, “senior dhe junior”, u caktua një masë më e lehtë, ajo e “arrestit në shtëpi”, e ndërsa për 16 të tjerë ajo e “detyrimit për paraqitje”.

Jashtë ambienteve të Gjykatës, familjarë të 35 personave të arrestuar, pretenduan se të afërmit e tyre punonin të licencuar nga shteti sipas ligjit.

Skandali i “call center”-ave që ka futur në kurth mbi 2 milionë shtetas të huaj, kryesisht gjermanë, italianë dhe belgë, sipas akuzës drejtohej nga izraeliti Rafael Ganish, një i ri që e përdori Shqipërinë si minierën e artë prej nga ku kryheshin telefonatat.

Burimet e Gazetasi.al, konfirmuan histori të punësimit të fundit dhe me të rinj e të reja që ekzistojnë prej javësh të punësuar në kompaninë “RG Kapital”. Madje një nga burimet e policisë që u përfshi në hetimin kibernetik bazuar në kërkesat e të huajve që dhanë alarmin dhe shqetësimin, tregon detaje nga ky mekanizëm.

“Kemi kuptuar se në ‘call center’, punonjësit që ishin përzgjedhur dhe punësuar sipas gjuhës së huaj që flasin, kategorizoheshin në dy stade. Shumica e tyre konsiderohen ‘junior’ dhe janë telefonuesit e rinj, jo vetëm për shkak të përvojës, por edhe sepse ata kryejnë seleksionimin parësor, duke joshur me shuma të vogla, nga 100, 200, apo 500 euro përmes telefonatave që kërkojnë të huaj që duan të kapitalizohen në aksione”, – shpjegon zyrtari i policisë për Gazetasi.al.

Në këtë aksion, që shkërmoqi ‘call center”-in e parë në kryeqytet, teksa dhjetëra të tjerë vijojnë të paprekur, janë edhe kategoria e dytë që quhen “senior”.

Këta të dytët, pas telefonatës grackë nga “juniorët”, në rast të rënies në kurth të qytetarit, ia përcjellin ‘viktimën” telefonuesve më profesionistë, që janë ‘seniorët’.

Këto detaje përmbushen nga ‘seniorët’ dhe sipas hetimit, secili nga punonjësit në “call center”, si dhe në çdo kompani të ngjashme në Tiranë, që janë të vendosura nga apartamentet, deri në qendra tregtare, paguhen ekstra sipas klientit që kanë “peshkuar” dhe investimit të tij.

Duhet konsideruar se nga paga minimale që paguheshin punonjësit, ka dyshime se rroga e tyre mujore shkonte deri në 1.500 euro në muaj.

Gjatë seancës, megjithë hetimin e detajuar dhe të parin e këtij lloji në Shqipëri,  prokurorja, sipas burimeve, deklaroi se  vepra për të cilën hetohet gjithsecili parashikon një dënim nga 5, vite deri në 15 vite burgim dhe se pasojat janë të rënda, pasi ka indicie që janë mashtruar mbi 2 milionë qytetarë evropianë.

Megjithatë, pavarësisht numrit të lartë të të arrestuarve për mashtrim kompjuterik, së bashku me ta edhe izraeliti Ganish, shumë prej tyre kishin fare pak javë të punësuar.

Nga këqyrja e listë-pagesave, sipas burimeve shumë të sigurta të Gazetasi.al, vetëm gjatë muajit nëntor 2021, disa prej tyre, dalin të punësuar nga tre, deri në 11 ditë, ç’ka konfirmon dyshimet se të rinjtë ishin të angazhuar “part time”.

Midis të arrestuarve, ka të rinj si A.G., l.B., dhe S.K., që edhe pse u gjetën në punë gjatë operacionit policor, janë të pasiguruar, gjë që shton dyshimet se ishin në periudhë prove.

Lista e të punësuarave “part time” është e gjatë, deklaron prokuroria dhe të gjithë ata do të qëndrojnë me detyrim paraqitje, në rast se gjykata e pranon këtë kërkesë.

Ky aksion, vjen në një kohë kur Gjermanët dhe Italia kanë shtuar shqetësimin për mashtrime të qytetarëve, veçanërisht të të moshuarve, qindra prej të cilëve rezultojnë se janë telefonuar nga Shqipëria.

Por kompania e izraelite, që nga këqyrjet e prokurorisë rezulton e regjistruar dhe me aktivitet të deklaruar, është vetëm maja e ajsbergut. A do t’i prekë apo jo prokuroria dhe policia këto kompani? Pak shpresë ka, për aq sa ka dyshime se pas tyre fshihen njerëz të fuqishëm dhe të paprekshëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë