Padia e avokatit Lulzim Allushaj në Gjykatën e Apelit Administrativ në Tiranë, ndaj vendimit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë që e skualifikoi nga gara për kryeprokuror po merr gjithnjë e më shumë trajtën e një sage që nuk po mbyllet, duke përforcuar dyshimet e ngritura nga Gazeta “Si”, se zvarritja e kësaj çështje është e qëllimshme.
Këtë të hënë gjykata duhej të shqyrtonte ankimimin e avokatit, por seanca është shtyrë sërish dhe këtë radhë sërish shkak është bërë mungesa e një prej gjyqtarëve të trupës gjykuese.
Kjo është shtyrja e radhës. Më datë 16 tetor, seanca u shty për shkak se gjyqtarja Bernina Kondi, njëra nga gjyqtaret e trupës gjykuese kërkoi shtyrje me argumentin se ka të atin sëmurë.
Allushaj dorëzoi ankimimin më datë 2 tetor, në limitet kohore të lejuara nga ligji për të kundërshtuar vendimin e KLP-së. Më datë 9 tetor, po në limitet kohore që ligji i ngarkonte gjykatës për të shqyrtuar këtë padi, Apeli Administrativ gjeti mangësi në dosjen e dorëzuar nga avokati dhe i kërkoi atij plotësimin e dosjes.
Të gjitha këto veprime të Gjykatës së Apelit Administrativ, por edhe të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, që nuk ka miratuar ende metodologjinë e vlerësimit të kandidaturave për Prokuror të Përgjithshëm me mandat të plotë zvarrisin zgjedhjen e kryeprokurorit.
Në pritje të vendimit të Apelit për Allushajn, në garë janë zyrtarisht tre kandidatë. Arta Marku, Olsian Çelaj dhe Fatjona Memçaj garojnë për postin e kryeprokurorit. Nga të tre kandidatët, shtyrja e zgjedhjes së kryeprokurorit duket se po favorizon vetëm një; Arta Markun.
Vlerësimi i kandidatëve për Prokuror të Përgjithshëm kryhet sipas neneve 6, 7, 8 dhe 9 të rregullores së miratuar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë të botuar në Fletoren Zyrtare më 28 mars të këtij viti. Neni 6-të përcakton vlerësimin e integritetit profesional në pesë kritere.

Nga CV-ja, Arta Marku dukshëm ka një disavantazh të theksuar ndaj Fatjona Memçajt, por sidomos ndaj Olsian Çelajt në katër kriteret e para të përcaktuara në nenin 6 të rregullores së KLP për zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm.
Nisur nga kjo, Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme shpreson që të marrë pikët maksimale në kriterin e fundit të këtij neni që kanë të bëjë me punime akademike, studime shkencore, shkrime dhe ligjërata profesionale, botime, pjesëmarrje në aktivitete shkencore, pjesëmarrje në procesin e hartimit ose të konsultimit të legjislacionit dhe çdo angazhim tjetër profesional i kandidatit gjatë 5 viteve të fundit në fushën e të drejtës.
Në varësi të angazhimit në këto fusha, kjo pikë përcakton se kandidatët vlerësohen nga një deri në katër pikë në total. Pikët maksimale duket se synon të shfrytëzojë Arta Marku, të cilës statusi i kryeprokurores së Shqipërisë i ka mundësuar pjesëmarrjen në disa konferenca, vendore dhe ndërkombëtare, e fundit prej të cilave pak ditë më parë Paris, ku ishte e pranishme në Konferencën Vjetore të rrjetit të Prokurorëve të Përgjithshëm të Bashkimit Europian.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




