Gazeta Si – Më 18 shkurt në Indianapolis kthehet formati Lindja kundër Perëndimit në basketbollin amerikan. Për Xhejms do të jerë hera e 20-të që merr pjesë, një më shumë se Karim Abdul Xhabar.
LeBron arrin një tjetër rekord, Haliburton merr ftesën për në 5-she për herë të parë. Janë përcaktuar tashmë titullarët e All Star Game Nba, që zhvillohet më 18 shkurt. Në Konferencën e Perëndimit do të jenë LeBron Xhejms (LA Lejkërs), Nikola Jokiç (Denver), Kevin Durant (Feniks), Luka Donçiç (Dallas) dhe Shai Gilgeous-Aleksander (Oklahoma).
Në 5-shen e Konferencës së Lindjes bëjnë pjesë Janis Antetokounmpo (Milluoki), Xhoel Embid (Filadelfia), Xhejzon Tatum (Boston), Tires Haliburton (Indiana) dhe Damian Lilard (Milluoki).
Kriteret e zgjedhjes janë: për 50% kanë shërbyer votat e tifozëve dhe për 25% preferencat e lojtarëve të Nba-së dhe gazetarëve. Rezervat, 14 lojtarë të tjerë, do të publikohen më 1 shkurt dhe do të seleksionohen nga trajnerët e Nba-së. Këtë vit formati i ndeshjes së yjeve kthehet në formatin tradicional: Lindja kundër Perëndimit.
LeBron Xhejms ka qenë All Star në çdo sezon që ka luajtur në Nba. Kishte ndodhur me Karim Abdul Xhabar, me 19 pjesëmarrje. Tani Xhejms e kalon, ndërkohë që është votuar 3 herë lojtari më i mirë i eventit, që bashkon sportin dhe spektaklin. LeBron ka qenë kapiten i skuadrës së tij në 6 sezonet e fundit, ku Liga ka provuar të ndryshojë formulën: me 2 lojtarë, kapitenët, që ndërtonin skuadrat. Në moshën 39-vjeçare
Xhejms regjistron numra befasues këtë sezon: 24.8 pikë, 7.4 asiste dhe 7.2 ribaunde për ndeshje.
Haliburton, lojtari i Indiana Pisërs, 23 vjeç, më i riu në moshë i 5-sheve, është thirrur për herë të parë në All Star Game. Ka sjellë diskutime mungesa mes titullarëve e Jalen Brunson të Nju Jork Niks, në vend të të cilit është preferuar Lilard. Jashtë titullarëve edhe Stef Kërri.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.