Një plan madhor për rimëkëmbjen ekonomike të goditur nga pandemia e COVID-19 të premtuar nga qeveria disa muaj më parë nuk do të ketë. Ama, në vend të tij copëza planesh u propozuan sot nga kryeministri. Disa lidheshin me uljen e taksave, disa me programet për rikthimin në punë të të larguarve gjatë karantinës kur u mbyllën bizneset. Një tjetër është plani për rindërtimin e banesave të dëmtuara nga tërmeti. U premtua edhe një korrigjim i modelit të taksës progresive.
Tek këto që sapo përmendëm nuk kishte asgjë të re. Qeveria i ka hedhur për konsum publik dhe politik prej disa kohësh. I ri nuk është as lajmi që nuk ka një plan për rimëkëmbjen ashtu siç ishte premtuar. Megjithëse zoti Rama u mundua ta shjegojë me pamundësinë për t’u takuar dhe punuar stafet, në kushtet e distancimit fizik dhe infeksioneve nga virusi, me pak llogaritje, kjo gjë pritej.
Ajo që sot na bëri përshtypje ishte alkimia e zoti Ahmetaj, ministrit të gjithëpushtetshëm të “rindërtimit nga tërmeti”, kur e shërbeu si recetë kurimi për rimëkëmbjen punën dhe paratë që do të injektohen për ndërtimin e banesave të dëmtuara. Zoti Ametaj nuk është një figurë dosido brenda qeverisjes së Rilindjes gjatë 2 mandateve të saj. Ministri i gjithëpushtetshëm me detyra had-hoc ka pasur poste kyçe në qeverisje dhe recetat e tij kanë diktuar mbarëvajtjen e shëndetit të ekonomisë, e cila përveçse tani kur po vuan rëndë nga pandemia dhe tërmeti, nuk i ka të shëruara sëmundjet e saj kronike. Këto receta që kanë premtuar “gurin filozofik” e çudibërës që ringjallin dhe dizenjon eknominë duke e kthyer gurin në ar, nuk janë gjë tjetër veçse alkimi. Kështu është edhe ky rast i fundit.
Nëse ekonomia jonë do të ishte e strukturuar, konkurruese, me tregues të lartë të inovacionit, ritëm apo numër të kënaqshëm biznesesh me profile të reja, logjika e përdorur për të rigjallëruar ekonominë përmes planit të rindërtimit do të jepte rezultat. Por sot ekonomia reale shqiptare ka dy karakteristika që një vendimarrës serizo dhe që e njeh realitetin, duhet t’i marrë në konsideratë.
E para është struktura e ekonomisë. Shqipëria ka një bilanc tregtar negativ jo vetëm të shërbimeve dhe mallrave që kanë mbivlerë pune dhe kapitali por edhe lëndë të parë. Shqipëria është ende shumë e dobët krahasur me ekonomitë e tjera, qoftë edhe të rajonit, për të prodhuar larmi mallrash dhe t’u japë atyre vlerë të shtuar. Nëse shikojmë eksportet ku mbizotorojnë lëndët e para dhe produktet e papërpunuara e kuptojmë këtë. Kur Gazeta “Si” i pyeti ndërtuesit sa përqind e materialeve për ndërtim në një godinë të re janë produkte vendase “Made in Albania”, ata na thanë: Shikoni bilancin tregtar i cili sot na sygjeron se gati 70-80 për qind e lëndëve dhe materialeve për ndërtim vijnë nga importi. Në këtë raport, edhe paratë që do të përdoren për rindërtimin nga tërmeti do të rilargohen në formë pagesash nga po ato vende që na kanë ndimuar si BE dhe Turqia (me të cilët Shqipëria ka peshën më të madhe të shkëmbimeve tregtare). Thjesht fare: Në 100 lekë ndihmë, 70-80 prej tyre do të ripaguhen për të blerë më shtrenjtë materiale ndërtimi, sepse ne dhe ekonomia jonë nuk mund të prodhojmë dot.
Arsyeja e dytë është prodhimi i përgjithshëm kombëtar. Nëse do të analizonim pak PPB sipas zonave, të shërbyer publikisht këto të dhëna nga INSTAT, do të vëreheshin dukshëm të paktën dy karakteristika. Që të mirat e prodhuara mbeten të izolura gjeografikisht dhe shumë të shpërpjesëtuara dhe se aftësia për të përçuar këto të mira nga një zonë në tjetrën, është mjaft e ulët. Përshembull, në Gjirin e Lalëzit, statistikat zyrtare mbi PPB, tregojnë se për shkak të konsumit, ndërtimeve, turizmit, prodhohen dhe konsumohen të mira, por përtej rrugës që ndan bregun e detit me kodrat, në fshatrat përkarshi, ka varfëri. Paraja, pra, është e bllokuar!
Për shkak të këtyre të dhënave dyshojmë se rindërtimi nga tërmeti do të mund të shtrijë efektet prej zonave ku katastrofa ndodhi. Edhe nëse do të ketë, ai do të jetë i përqëndruar në pak duar dhe ndoshta në formën e pageës për punëtorët me mëditje. Por nga pandemia dhe ekonomia presim të gjithë. E gjithë Shqipëria, ca më shumë zonat e largëta e periferike e të varfëra, të cilat nuk kanë dhjam të mbahen gjallë ekonomikisht. Mbajtja e shpresave vetëm te plani për tërmetin mund të jetë potencialisht një tjetër katastrofë dhe qeveria nuk duhet të magjepset nga guri çudibërës i alkimisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.