Një ditiramb për dashurinë në një kohë kur globi shqetësohet çdo ditë nga vrasja dhe dhuna ndaj grave, ku njerëzit flasin pambarim për seksin, por bëjnë aq pak dashuri.
Pas nëntë vitesh Roberto Benigni, aktori italian që me “La vita e’ Bella” do të korrte suksesin e padiskutueshëm e do të rrëmbente Oscarin në 1999, u rikthye në Festivalin e Sanremos në natën e tretë të tij.

E bëri në një mënyrë jo të zakonshme, duke bërë paradë në tapetin e kuq mes njerëzve që do ta përshëndesnin me pathos dhe bandën që e shoqëroi.
Përshkoi gjithë teatrin Ariston e më në fund u ngjit në skenë.
“Një hyrje si kjo, me bandën që më shoqëroi si një Burrë Shteti nuk më kishte ndodhur kurrë”, do të niste hapësirën e tij televizive Benigni e cila zgjati më shumë se 30 minuta me një guxim të jashtëzakonshëm duke recituar letërsi dhe ngritur në piedestal femrën dhe dashurinë.
“Ëndrra ime më e madhe ka qenë përherë të këndoj… Unë Sanremon e kam prezantuar por kam dashur të këndoj. Unë kam paraqitur asokohe himnin e trupit të çliruar, por nuk u pranua, nuk e kuptuan “, do të shpjegonte mbrëmjen e së enjtes nga skena e teatrit Ariston aktori i Oscar.
Dhe dhuron një cover: “Është kënga e këngëve, është kantiku i kantikëve që ndodhet në Bibël, kënga më e bukur që mund të jetë shkruar në historinë e njerëzimit, 2440 vite më parë. Është një këngë dashurie, dy të rinj që duhen fizikisht, kulmi poezisë. Është si të kishim Yesterday të Beatles-ve e askush nuk e ka bërë. Është maja, kulmi i poezisë së të gjitha kohërave dhe është kënga e parë e shkruar në historinë e njerëzimit. Është aq e bukur saqë është bërë e shenjtë. Për ta mbajtur në Bibël janë krijuar histori, për të mbajtur të fshehtë mesazhin e dashurisë fizike. Ka një moment në të cilin ai “kalon natën” mbi gjinjtë e saj pas një nate dashurie… e mandej është një poemë dedikuar feminilitetit, është një grua protagonsite. Kantiku është një diamant, kushdo që ta ketë shkruar. Kush do të japë gjithë jetën për dashurinë, do ta shpëtojë, nuk do ta humb jetën”- do të përfundonte monologun kushtuar dashurisë Roberto Benigni në natën e tretë të Sanremos, ku do të kuptohej tërësisht edhe filozofia mbi të cilën drejtori arstitik dhe drejtuesi i edicionit të 70-të e kishte ngritur këtë festival; miqësia autentike, e vërtetë, dashuria.
Një vit më parë e njëjta natë do të mbante mbërthyer përpara ekranit të vogël të kanalit publik italian 9,4 milion teleshikues me 46.7% ndjekës. Do të cilësohej si rezultati më i mirë që prej 1997, viti me Mike Bongiorno e Piero Chiambretti.
Kurse në mbrëmjen e djeshme ( e të enjtes), festivali i Amadeus mbërtheu në ekran 9 mln e 836 mijë teleshikues të barabartë me 54,5 %.
Ishte një mbrëmje dedikuar këngëve sanremeze të 69 viteve që kanë bërë histori.
Rita Pavone këndoi “1950” me Amedeo Minghi, rrokeri Piero Pelu i bëri homazh kolegut të tij Little Tony me “Un cuore Matto”, etj. Nuk munguan as të ftuarit ndërkombëtarë si Lewis Capaldi, artisti skocez dhe Mika që i bëri homazh Fabrizio De André.

Teksa Fiorello do të pushonte mbrëmjen e tretë sanremese, do të deklaronte “E kam ditën pushim, me Benignin në skenë dua të jem spektator.”

Hapësirë e rëndësishme iu kushtua edhe këngëtareve të njohura italiane si Emma Marrone, Laura Pausini, Giorgia, Fiorella Manoia, Gian Nannini, të cilat më 19 shtator do të jenë sëbashku në një koncert kundër “feminicidios” (vrasjes së grave).
Mbrëmja e tretë e festivalit të 70-të ishte e dashur edhe për adhuruesit e sportit, pasi në rreshtin e parë për të ndjekur të fejuarën e tij Georgina në krahë të Amadeus, ishte Cristiano Ronaldo, lojtari i skuadrës italiane Juventus.
Prezantuesja jonë, Alketa Vejsiu do të ishte një zbulim si për Amadeusin, shtypin italian dhe publikun e vendit fqinj.
Duke folur shpejt, një italishte të rrjedhshme, me një mononolog përmes të cilit do të përcillte vlerat njerëzore të sajat dhe të një populli mirënjohës ndaj shtetit fqinj Italisë, do të kthehej për një natë ambasadore kulturore e integrimit të Shqipërisë në BE.
Në një duet me Bobi Solo, Vejsiu do të këndonte “Una lacrima sul viso”, këngë të cilën, tha nga skena e Sanremos, se e dëgjonte nga buzët e të atit, në atë kohë kur të gjithë sakrifikonin për të dëgjuar pak muzikë italiane.
“Italia shembull I integrimit, mirëseardhjes, humanizmit” do të thoshte Alketa në monologun e saj.
Shtypi italian do të shkruante kritika pozitive për prezantuesen tonë, e cila pavarësisht fjalëve të derdhura në rrjetet sociale ku gatuhet shumë mediokritet, nuk bëri ndonjë mëkat, veçse realizoi një ëndërr të sajën e të shumë shqiptarëve që e kanë Italinë në zemër dhe bëri që të flitej aq shumë për Shqipërinë sa nuk është folur kund. S.V
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.