Gazeta Si – Rafael Nadal në fushë pas dëmtimit në Brisbane. Ai humbi 3-6, 6-4, 14-12 në ekzibicionin e Las Vegasit, ku deklaroi se sezoni në dheun e kuq mund të jetë i fundit për të.
Ajo që u përcaktua si ‘Netflix Slam’ ndezi publikun në ‘Michelob Ultra Arena’ (një fushë e hapur me 12 mijë vende). Karlos Alkaraz mundi Rafael Nadalin 3-6, 6-4, 14-12 në këtë event mes dy fenomenëve spanjollë, i transmetuar direkt nga Netflix. Kolosi i platformave streaming duket se e ka në vëmendje tenisin dhe veçanërisht kampionët e mëdhenj të raketës.
Kishte shumë kuriozitet dhe disa pikëpyetje për lojtarët në fushë. Nadal, që nuk luante që në ditët e para të janarit, do të shkojë në Indian Uells me dyshime mbi gjendjen e tij, por ndaj Alkaraz (natyrisht në një ndeshje pa shumë shpirt kompetitiv) u duk mjaft mirë.
Karlitos, në vështirësi të mëdha në këtë filli të sezonit, pësoi një dëmtim në kavilje në Rio de Zhaneiro. Këmba e tij nuk dha sinjale problematike dhe ky ishte lajmi që tenisti nga Mursia priste nga kjo ndeshje. “Është një ndeshje që na shërben si test për Indian Uells”, – ka thënë trajneri i tij Huan Karlos Ferrero.
Alkaraz shkaktoi shumë faulle në shërbim, kurse Nadal bëri gjëra të thjeshta, me gjuajtjen e tij të drejtë dominuese. Në momentin e ndërrimit të fushës Nadal bëri një përshëndetje për djalin e tij, i pranishëm në këtë event. “Ende nuk kupton, por ndoshta një ditë… Të luaj përballë tij është emocion i madh”, – tha spanjolli.
Rëndësia që amerikanët i kushtuan eventit ishte shumë e madhe, që me prag ndeshjen me një panel ekspertësh, mes të cilëve Agasi dhe Rodik. Ishte diçka e ngjashme me Super Bowl, All Star Game dhe WrestleMania. Prezantimin e lojtarëve e bënë Patrik MekEnro dhe Xhim Kurier, ndërkohë që të pranishëm ishin shumë personalitete të ndryshme, si Majkëll Dgllas, Kathrin Zeta-Xhons e shumë yje të NBA-së.
Pak para ndeshjes Karlos dhe Rafa takuan Andre Agasin dhe Nadal ishte shumë i sinqertë për atë çfarë pret në të ardhmen e afërt. “Nuk e di në çfarë niveli jam, fakti që jam këtu është lajm i mirë. Përparësi për mua është që të dal mirë në Indian Uells, pastaj shpresoj të bëj mirë në sezonin në tokën e kuqe, që mund të jetë i fundit për mua. Nuk kam vendosur akoma”.
Alkaraz, me buzëqeshjen e stampuar në fytyrë, kujtoi me emocione se në kohën kur Rafa fitonte turneun e parë Slam (Paris 2005), ai ishte vetëm 2 vjeç. “Për mua është një pikë referimi, një idhull. Të jesh me të në fushë do të thotë të shijosh çdo sekondë loje”, – tha Alkaraz. Pas pak ditësh loja bëhet serioze në turneun e parë Masters 1000 të sezonit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.