Shendet

Alimehmeti: Një nga vendimet më të rënda të marra për shkak të Covid-19 ishte mbyllja e shkollave

Mjeku epidemiolog Ilir Alimehmeti, me një postim në rrjetin social Facebook shkruan se një nga vendimet më të rënda të marra dhe të pabarazuara në evidencë për shkak të Covid-19, ishte mbyllja e shkollave dhe kalimi i mësimit online.

“Mund të mirëkuptohen ndoshta vendimet e një viti më parë, kur shumëçka ishte e panjohur, por muaj më pas informacioni ishte i plotë dhe i konfirmuar nga ECDC, CDC dhe OBSH që shkollat nuk ishin vatra të rëndësishme të përhapjes së SARS-CoV-2”, shkruan Alimehmeti.

Ai shkruan se megjithatë, shumë shtete vazhduan vazhdën e vendimeve të pabazuara në evidencë, duke mbyllur plotësisht apo pjesërisht shkollat.

“Nga ana tjetër, efektet negative të mbylljes së shkollave mbi fëmijët dhe adoleshentët i njohim shumë mirë siç janë reduktim i aktiviteti fizik, reduktim i ndërveprimit social, reduktim i mirëqenies psikologjike, probleme psikopatologjike, risku i obezitetit, risku i vartësisë nga celulari/tableti/kompjuteri, mosmbrojtja nga abuzimi në shtëpi, dhe problemet e performancës së mësimnxënies”, tregon ai.

Alimehmeti e mbështet mendimin e tij në një studim të kërkuesve italianë të cilët kanë studiuar në detaj të dhënat e 7.3 milionë nxënësve dhe të mësuesve në shkollat e tyre dhe kanë publikuar të dhënat në The Lancet më 26 mars 2021.

Është studiuar periudha 30 shtator 2020 – 28 shkurt 2021 që përkon me valën e dytë të Italisë dhe gjetjet kryesore janë disa si për shembull, hapja e shkollave nuk është shoqëruar me rritje të koeficientit Rt të SARS-COV-2, mbyllja e shkollave nuk është shoqëruar me ulje të koeficientit Rt të SARS-COV-2, incidenca e SARS-COV-2 te nxënësit ishte më e ulët se në popullatën e përgjithshme, incidenca te mësuesit ishte e njëjtë me popullatën e të njëjtës moshë.

Gjithashtu, Alimehmeti shpjegon se kishte gjetje edhe mbi infeksionet dytësore të cilat janë:

Infeksionet dytësore në shkollë janë <1% dhe, ndër këto, vetëm në 5-7% janë gjetur vatra me mbi 2 raste dytësore.

Infeksionet dytësore të mësuesit janë të rralla.

Kur ndodh, mësuesit infektohen më shpesh nga një mësues tjetër se sa nga një nxënës (raport 3,7 : 1).

Autorët dalin në përfundimet e rëndësishme që:

Hapja e shkollave nuk duhet konsideruar si faktor i rëndësishëm i përhapjes së COVID-19.

Mbyllja e shkollave nuk ka përmirësuar uljen e koeficientit të riprodhimit të COVID-19.

“Të dhënat mbështesin më tej konsolidimin e nocionit që risqet e shkaktuara nga mbyllja e shkollave janë më të mëdha se përfitimet. Pra, miqtë e mi, le të pranojmë që problemi i përhapjes së Covid-19 jemi ne, të rriturit, e le t’i lëmë fëmijët të qetë që të jenë femijë e të luajnë, të takohen, të arsimohen, TË JETOJNË”, shkruan Alimehmeti.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë