TIRANË- Partia Demokratike e Enkelejd Alibeajt do të garojë në të 61 bashkitë në zgjedhjet vendore të 14 majin. Pas mbledhjes së grupit dhe kryesisë që ai drejton tha se do të jenë grupet e punës që do të zgjedhin edhe kandidatin. A ftoi edhe njëherë kandidatët e primareve që ti bashkohen logos së PD.
“Nuk do më dëgjoni të përdor fyerje apo linçimi edhe për kundërshtarin më të fortë. Politika bëhet me ide nëse i ke, me vizion ndryshe, ndaj kam zgjedhur këtë qasje. Sa i përket historisë së veglave, pengjeve, një arsyetim e kam. Vegël mund të jetë kushdo, ai i cili mund t’i marrë demokratët e t’i çojë në një parti të majtë, një parti që në 2013 bashkëpunoi me Ramën për ta sjellë në pushtet.
Koherenca në qëndrimet politike mund të jetë një nga virtytet që politika shqiptare mund të ketë. Të ftosh demokratët të shkojnë në një parti tjetër, çfarë ka bërë më tepër Edi Rama kundër nesh? Shantazh e fyerje ndaj PD. Jo vetëm çështje veglash, por edhe krenari. Kam krenari të qëndroj e aq sa mundem t’i them qytetarëve që politikë bëhet ndryshe, me rrebesh apo diell. Kjo është logoja që këtë vend e ka orientuar drejt Perëndimit. Kjo është seti i vlerave që i ka dhënë shqiptarëve fytyrën perëndimore. Ka pasur goxha shantazh. Ndonëse mund të dukemi të dobët e naiv, ja vlen”, tha Alibeaj.
Sa i përket zyrave ku ai po qëndron, Alibeaj tha se do të jetë e përkohshme, duke lënë të kuptohet se duhet te jete përmbarimi që duhet të nxjerrë jashtë Berishën nga selia e PD.
“Zyrat e reja, të përkohshme përgjatë fushatës, në ka skena të shëmtuara që nuk na bëjnë nder asnjërit nga grupim, janë ato të 8 janarit. Unë kam këtë qëndrim, nuk jam nga ata që i çon demokratët pre emocioneve të tyre, njerëzore mbase, nuk i çoj njerëzit në konflikt dhe në përplasje, nuk kruaj me gisht plagë që mezi po mbyllen nëse do të mbyllen, besoj te ligji, kur ka një vendim gjykatë ai vendim pranohet, ato zyra dhe seli do duhet të lirohen, siç bëra me 25 mars, edhe pse vendimi i gjykatës së shkallës së parë nuk ishte definitiv. Në respekt edhe të ligjit u larguam, tashmë pretendojmë që ato zyra të lirohen”, tha Alibeaj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.