Kosova

Ali Ahmeti për akuzat ndaj krerëve të Kosovës: Luftuan për liri

Kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti ka reaguar pas akuzave ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Rexhepit nga Prokuroria Speciale.

Përmes një postimi në Facebook, Ahmeti shkruan se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte luftë e drejtë e kombit shqiptar për liri dhe vetëvendosje, por edhe për drejtësi dhe sundim të së drejtës, shoqëri demokratike dhe kohezive, të orientuar drejt vlerave euro-amerikane.

“Jam i bindur që shokët e mi, bashkëluftëtarët e mi, do të dëshmojnë luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe do të kthehen fitimtarë”, thotë ai. “Unë e di se si unë, ashtu edhe shokët e mi, po të kishim edhe një jetë, edhe një mundësi, edhe një kushtrim për të luftuar për liri dhe barazi, do ta bënim përsëri sepse besuam dhe besojmë në të drejtën e kombit tonë.

Ahmeti thekson se të gjithë të akuzuarit në Kosovë janë duke respektuar plotësisht sundimin e ligjit dhe drejtësinë vendore e ndërkombëtare.

“Të gjitha arritjet tona në këto dekada i kemi realizuar bashkarisht me miqtë tanë ndërkombëtar dhe bashkarisht, duke respektuar vlerat e përqafuara nga të gjithë ne, e do ta përfundojmë rrugëtimin tonë drejt lirisë, pavarësisë, drejtësisë dhe integrimit. Sundimi i ligjit dhe drejtësia e mirëfilltë joselektive janë synime të të gjithë neve andaj dhe përgëzoj krerët e Kosovës që iu përgjigjën thirrjes së drejtësise në mënyrën më dinjitoze dhe ju uroj kthim sa më të shpejtë në detyrat e tyre që i presin”, përfundon Ahmeti.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë