Një foto-kartolinë e qarkulluar ditëve të fundit në rrjetet sociale e aktorit të famshëm me origjinë shqiptare, Aleksandër Moisiu ku shfaqet me të ëmën, arbëreshen Amalia Rada, e ka kthyer edhe njëherë në vëmendje jetën e yllit të skenave europiane të fillimshekullit 20. Ne ju sjellim një rrugëtim në rolet legjendare të aktorit përmes kartolinave gjermane, ku përjetësohet karriera e vlerësuar me nota të larta nga kritikët më të mëdhenj të kohës. Nga skenat vjeneze, tek ato ruse, turet në Itali, shkëlqimi në Gjermani e deri te roli i tij i fundit kinematografik, në vitin 1934, një vit përpara se të ndahej nga jeta për të pushuar përgjithmonë në varrezat Morcote, me vështrimin nga liqeni i Luganos

I varrosur gjallë
Lindi më 1879-ën, në Trieste, asokohe pjesë e perandorisë austro-hungareze dhe fëmija i pestë dhe i fundit i Konstantin Moisiut, një tregtar i pasur shqiptar i vajrave dhe drithërave dhe arbëreshes Amalia di Rada, e bija e një shkrimtari fiorentin dhe i një mjekeje.
Pas fëmijërisë ndërkombëtare në Trieste, Durrës dhe Graz, 20 –vjeçari Aleksandër, më në fund, u vendos me të ëmën dhe dy motrat në Vjenë. Aty u pikas nga Paul Schlenther, drejtori i famshëm i ‘Burgtheater’ dhe nga aktori legjendar Josef Kainz, i cili i dha Moisiut leksione aktrimi.
-
Aleksandër Moisiu/ Kartolinë gjermane nga Verlag Louis Blumenthal, Berlin,nr. 2680. -
Aleksandër Moisiu/ Kartolinë gjermane nga Hermann Leiser Verlag, Berlin, nr. 8709. Foto: Becker & Maass.
Më 1901-shin Moisiu u shpërngul në Pragë, ku punoi për Teatrin ‘Neue Deutsche’ dhe më 1904-ën lëvizi drejt Berlinit, ku u bë beniamini i regjisorit me shumë ndikim, Max Reinhardt, në Teatrin ‘Deutscher’. Aty pati suksesin si Osvaldi në dramën e Henrik Ibsenit, “Shpirtrat”, rol që vijoi ta luante për më shumë se dy dekada.
Nën Reinhardt-in ai interpretoi në shumë drama të Ulliam Shekspirit, përfshirë gaztorin në Mbreti Lir, Romeon te Romeo dhe Zhuljeta (1907) dhe Hamletin (1909). Më 1911-ën, Moisiu ndoqi Ansamblin Reihnardt drejt Rusisë dhe u vlerësua shumë nga kritikët në Shën Peterburg, si edhe dramaturgu Anatoliy Lunacharsky, për interpretimin e Edipit.

Duke udhëtuar nëpër Europë dhe Amerika, ai u bë një yll i njohur botërisht. Repertori i roleve të tij protagonistë përfshin të gjithë spektrin e dramës europiane, nga tragjedia greke deri te modernizmi i shekullit njëzet. Ishte i pari, në Europë , që interpretoi karaktere nga Strindbergu, Tolstoi, Çehovi, Pirandeloja dhe Hofmanstali. Interpretimet e tij të Hamletit, Edipit, Faustit, Dubedatit në shfaqjen e George Bernard Shaw –it“Dilema e Doktorit” dhe shumë të tjera, vlerësoheshin atë kohë, po aq sa edhe zëri dhe gama e tij emocionale. Roli i tij më i famshëm ishte Fedja te “Kufoma e gjallë”, e Tolstoit. Ai e luajti këtë rol 1500 herë mes viteve 1913 dhe 1935 dhe ishin më shumë se një milionë e gjysmë njerëz e që e panë ta luante këtë pjesë.
-
Aleksandër Moisiu , Lia Eibenschütz/ Kartolinë gjermane nga Verlag Hermann Leiser, Berlin, nr. 4850. Foto: publicitet për Romeo dhe Zhuljeta me Lia Eibenschütz . -
Aleksandër, Lia Eibenschütz/ Kartolinë gjermane nga Verlag Hermann Leiser, Berlin, nr. 8198. Foto: Dr. Hans Boehm. Publicitet për Romeo dhe Zhuljeta me Lia Eibenschütz .
I burgosur në Francë
Megjithëse kryesisht aktor skenik, Aleksandër Moisiu u shfaq në 17 filma, mes viteve 1913- 1935. Më 1913-ën u shfaq ë katër filma pa zë për Deutsche Bioscop GmbH: pantomima eksperimentale Das schwarze Los/Shorti i zi (Emil Albes, John Gottowt, 1913), Meier Helmbrechts Flucht und Ende/Fluturimi dhe Fundi i Meier Helmbrecht –it (Leo Greiner, 1913), Die Augen des Ole Brandis/Sytë e Ole Brandis-it (Stellan Rye, 1913) dhe pati rol mbështetës në filmin klasik me fantazi Der Student von Prag/Studenti nga Praga (Stellan Rye, Paul Wegener, 1913) ku protagonist ishte aktori Paul Wegener.
Dy vjet më vonë interpretoi në filmat Kulissenzauber/ Sfondi magjik (Heinrich Bolten-Baeckers, Leo Peukert, 1915) dhe Sein einziger Sohn/Biri i tij i vetëm (Adolf Gartner, 1915). Ishte koha e luftës së Parë Botërore, kur më 1915 –ën, Moisiu u mobilizua në radhët e ushtrisë austriake. Si pilot, ai u burgos në Francë, por u lirua pesë muaj më vonë përmes një këmbimi të burgosurish. Deri më 1917-ën ai punoi si aktor skenik në Zvicër.
-
Aleksandër Moisiu/ Kartolinë gjermane nga Verlag Louis Blumenthal, Berlin, nr. 3233. Foto: Zander & Labisch. Publicitet për König Lear/Mbreti Lir. -
Alekandër Moisiu në Die Braut von Messina/ Kartolinë gjermane nga Verlag Hermann Leiser, Berlin, nr. 4293. Foto: Becker & Maass. Reklamë por prodhimin skenik të Die Braut von Messina (Nusja nga Mesina ) nga Friedrich Schiller me Moisiun si Don Manueli.
Më 1918-ën interpretoi rolin e Stanislausit në Pique Dame (Arthur Wellin, 1918), një përshtatje filmike e tregimit të Pushkinit “Mbretëresha Maç”. Po atë vit, ai u shfaq në krah të Ria Jende-s në Der Ring der drei Wünsche/ Unaza e Tri dëshirave (Arthur Wellin, 1918).Më vonë luajti në filma pa zë si Erborgtes Glück/Lumturi e marrë hua (Arthur Wellin, 1919) me Käthe Dorsch-in, Zwischen Tod und Leben/ Mes Jetës dhe Vdekjes (Arthur Wellin, 1919) me Bernhard Goetzke-n, Figaros Hochzeit/Damsa e Figaros (Max Mack, 1920) bazuar në dramën e Beaumarchais dhe Die Nacht der Königin Isabeau/Nata e Mbretëreshës Isabeau (Robert Wiene, 1920) në krah të Fern Andra.
-
Aleksandër Moisiu si Franz Moor/Kartolinë gjermane nga Hermann Leiser Verlag, Berlin, nr. 4165. Foto: Becker & Maass. Reklamë për një produksion skenik të Die Räuber (Grabitësit) nga Friedrich Schiller me Moisiun si Franz Moor. -
Aleksandër Moisiu si Franz Moor në Die Räuber/Kartolinë gjermane nga Hermann Leiser Verlag, Berlin, nr. 4165. Foto: Becker & Maass. Reklamë për një produksion skenik të Die Räuber (Grabitësit) nga Friedrich Schiller me Moisiun si Franz Moor.
Qytetar shqiptar
Filmi i fundit pa zë i Moisiut ishte Kean (Rudolf Biebrach, 1921) bazuar në dramën e Aleksandër Dumasë, i ati. Edmund Kean, i lindur më 1787-ën, ishte aktor i madh shekspirian në ditët e tij. Mbresëlënës është fakti që i pari film me zë i Moisiut, prodhimi hollivudian i Die Königsloge/Kutia Mbretërore (Bryan Foy, 1929) gjithashtu rrëfente historinë e Edmund Kean-it. Prodhimi në gjuhën gjermane nga Warner Brothers nuk pati sukses.
-
Moisiu në rolin e Hamlet -
Moisiu në rolin e Franz Moor
Në vitet ’20, Moisiu pati më shumë sukses në Rusi, Francë, Austri dhe Itali sesa në Gjermani. Pas ngritjes së nazistëve në Gjermani, më 1934-ën Moisiu u bë qytetar shqiptar (disa burime thonë se mori pasaportë italiane). Pas një turi të suksesshëm skenik në Itali, më 1934-ën, Moisiu interpretoi në filmin italian Lorenzino de’ Medici/ Batakçiu i Madhërishëm (Guido Brignone, 1935) me Maria Denis. Do të ishte edhe filmi i tij i fundit. Një vit më vonë, Aleksandër Moisiu vdiq nga pneumonia në Vjenë (disa burime thonë në Lugano, Zvicër) dhe prehet në varrezat Morcote, me vështrim nga liqeni i Luganos.
-
Aleksandër Moisiu në Der lebende Leichnam/ Kartolinë gjermane nga Verlag Hermann Leiser, Berlin-Wilm, nr. 7552. Foto: Fritz Richard. Aleksandër Moisiu si Fedja në dramën e Tolstoit “Kufoma e gjallë” Der lebende Leichnam -
Aleksandër Moisiu / Kartolinë gjermane nga Ross Verlag, nr. 4725/1, 1929-1930. Foto: Defina
Ishte martuar dy herë. Me gruan e parë, aktoren vjeneze Maria Moisiu pati një vajzë, Betinën, e cila do të bëhej gjithashtu aktore. Më 1919-ën, u martua me aktoren Johanna Terwin. Ai është stërgjyshi i aktorit gjerman Gedeon Burkhard. Në nder të tij Fakulteti i Dramës dhe Teatri i Durrësit mbajnë emrin Aleksandër Moisiu dhe 60 vjetori i vdekjes së tij u përkujtua më 1995-ën në Shqipëri me një vit artistik, kushtuar aktorit, sponsorizuar nga Fondacioni’ Aleksandër Moisiu’ në Durrës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.