Pas deklaratës së kryesueses së OSBE/ODHIR Audrye Glover për zgjedhjet e së dielës, aleatët opozitarë u mblodhën në një takim në selinë e Partisë Demokratike me kryedemokratin Lulzim Basha.
Menjëherë pas takimit, kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu në një prononcim të shkurtër për mediat, u shpreh se raporti paraprak i OSBE/ODIHR tregoi se në zgjedhjet e së dielës asnjë nga kushtet e saj nuk është plotësuar.
“Raporti i OSBE tregon se nuk është plotësuar asnjë kusht. Shqiptarët e dinë se çfarë ka ndodhur. Çdo gjë që bëhet transparente dhe ka vlerë dhe i shërben procesit për zgjedhje të lira dhe të ndershme, mendoj që është një proces që duhet bërë”, është shprehur ndër të tjera Mediu.
Edhe Mesila Doda e PDIU ndau të njëjtin mendim për mediat, duke nënkuptuar që zgjedhjet e një dite më parë nuk kanë ndryshuar asgjë në qëndrimin e opozitës.
“Zgjedhjet e kësaj radhe vërtetuan qëndrimin tonë të përhershëm, Edi Rama është recitivist në vjedhjen e zgjedhjeve”, u shpreh Doda.
Të pyetur nga gazetarët nëse opozita do të vijojë protestat, Mediu dhe Doda treguan se edhe protestat janë mjete demokratike që do garantojnë lirinë e votës. Ndonëse ata nuk dhanë detaje se çfarë është diskutuar me liderin demokrat, duket se aksioni opozitar do të përqëndrohet sërish te protestat.
“Mendoj se çdo gjë që garanton zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe i shërben interesave të Shqipërisë duhet të zhvillohet si nga opozita dhe qytetarët”, u shpreh Mediu.
“Është një nga vendimet që do të merret në vijim. Protestat nuk kanë pushuar kurrë”, tha ndër të tjera Doda.
Më herët, shefja e Misionit Audrey Glover iu shmang vlerësimit të standardit të këtyre zgjedhje, duke theksuar se atë do ta jepte në një raport final, pas dy muajsh, ndërsa pati vërejtje për të dyja palët, si për opozitën që bojkotoi ashtu edhe për PS-në.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




