Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit (AMT) përmes një deklarate për shtyp ka artikuluar katër qëllime politike të cilat synon ti realizojë përmes protestave ku i bën thirrje të gjithë qytetarëve të bashkohen.
Rrëzimi i Qeverisë të Edi Ramës,ndryshimi i sistemit zgjedhor para zgjedhjeve të ardhshme parlamentare,shfuqizimi i të gjitha amendamenteve të Kushtetutës të kryera pas vitit 1998 dhe hartimi i një kushtetute të re, të mbështetur në parimet e demokracisë direkte janë synimet e shpalosura nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, e cila në protestën e një dite më parë nuk përjashtoi krijimin e një lëvizjeje të re politike.
Në deklaratë, Aleanca citon se rikonfirmon vendosmërinë e saj për të vazhduar luftën e nisur në mars 2018, në mbrojtje të trashëgimisë, lirisë dhe demokracisë. Shembja e Teatrit Kombëtar dhe Teatrit Kombëtar Eksperimental ishte një goditje e rëndë, thotë Alenaca por jo fatale. “Ne humbëm një betejë, por jo luftën.”
“Me shembjen e Teatrit Kombëtar në shkelje të çdo ligji e procedure, duke mos respektuar gjykatat dhe paditë e Presidentet, Edi Rama shpalli zyrtarisht diktaturën në Shqipëri. Qysh prej amendamenteve kushtetuese të vitit 2008, demokracia në Shqipëri ka bërë hapa prapa. Me amendamentet e vitit 2016, Shqipëria u bë një regjim hibrid, i njohur si i tillë edhe nga organizatat ndërkombëtare. Vendi nuk ka Gjykatë Kushtetuese e as Gjykatë të Lartë, dhe tani po rrezikohet të mbetet edhe pa gjykata apeli. “Reforma në drejtësi”, pavarësisht qëllimeve e motiveve me të cilat nisi, është sot një dështim total!”- citon Alenaca në deklaratë.
Aelanca bën me dije se nga Prokuroria nuk ka asnjë veprim konkret për hetimin e shkeljeve sipas tyre.
AMT në deklaratë u bën thirrje të gjitha grupimeve të shoqërisë civile, të bashkohen për krijimin e një koalicioni qytetar kundër diktaturës.
“Asnjë kauzë qytetare nuk mund të fitohet më pa rrëzuar diktaturën, pa rikthyer standardet kushtetuese dhe normalitetin e institucioneve. Ftojmë të gjitha grupimet dhe individët, të lenë mënjanë divergjencat e pakënaqësitë ndaj njëri-tjetrit dhe të shtyjnë çdo debat ideologjik për një kohë tjetër, kur të jenë krijuar kushtet për konkurrencë të ndershme idesh.”- artikulon Alenaca për Mbrojtjen e Teatrit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




