Drejtësia

Akuza për pastrim parash, Alda Klosi në ‘arrest shtëpie’

Gazeta Si - Alda Klosi, ish-shefja e kabinetit të ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj, ka përfunduar dënimin dhe është liruar nga qelia.

Klosi u dënua nga Gjykata e Tiranës me 2 vjet e 6 muaj burg për “fshehje pasurie” që me gjykim të shkurtuar konvertoheshin në vetëm 20 muaj.

Klosi edhe pse e ka kryer dënimin e saj, ajo do të qëndrojë në arrest shtëpie për akuzën e dytë ndaj saj “pastrim parash” derisa Prokuroria të vendosë pas afatit që i caktoi Gjykata.

Ndërkohë, ajo po hetohet veçmas në drejtim të ligjshmërisë së burimeve të krijimit të pasurive që ajo dhe familjarët e saj zotërojnë.

Arrestimi i ish-zyrtares së lartë erdhi pas hetimit të kallëzimit të saj të kryer në polici për vjedhjen e qindra mijëra eurove në banesë.

Ndërkohë, sanitarja Rozeta Dobi u dënua me 7 vite burg, të cilës i konvertohet në 4 vite e 8 muaj për shkak të gjykimit të shkurtuar.

Djali i saj, Havier Dobi u dënua me 5 vite burg që i konvertohet në 3 vite e 4 muaj në qeli për shkak të gjykimit të shkurtuar. Ata akuzohen për vjedhje me pasoja të rënda.

Pas njoftimit të vjedhjes së banesës së Klosit në rrugën e Kosovarëve në Tiranë në dhjetorin e kaluar, policia arrestoi Rozeta Dobin dhe Havier Dobin, nënë e bir, nën akuzën e vjedhjes pasi në shtëpinë e tyre u gjet një shumë e konsiderueshme parash ndërsa Havierit iu sekuestruan disa makina.

Klosi deklaroi në polici më vonë se në banesë kishte pasur 120 mijë euro dhe 30 mijë dollarë krahas bizhuterive, në çastin e vjedhjes.

Policia mbajti nën përgjim në komisariat Rozeta Dobin, e cila punonte si pastruese dhe Havierin, ndërsa këta diskutuan për një shumë tjetër parash të fshehur në tubin e ventilatorit të kuzhinës.

Policia nuk kishte gjetur këtë shumë në kontrollin e parë por kur rikontrolloi banesën, gjeti 404 mijë euro dhe 8500 dollarë. Në total policia gjeti 462,950 euro; 15,500 dollarë amerikanë dhe 368 mijë lekë në shtëpinë e Klosit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë