Kreu i Lëvizjes Vetëvendosja dhe Kryeministri i ardhshëm i Kosovës, Albin Kurti ka udhëtuar drejt Durrësit për të vizituar zonat e prekura nga tërmeti.
Ai ka takuar edhe përfaqësues të policisë dhe ushtrisë, ndërsa në një prononcim për mediat ka thënë se kërkohet ndihma e institucioneve të Shqipërisë dhe Kosovës që të shmanget kriza humanitare.
“FSK dhe Ushtria e Shqipërisë po bashkëpunojnë në mënyrë të shkëlqyeshme. Me profesionalizmin e tyre, ata po na i ngrohin zemrat se do të dalim nga kjo gjendje e rëndë që na ka goditur. Që të mos kemi elementë të ndonjë krize humanitare duhet që institucionet edhe në Kosovë edhe në Shqipëri edhe qendror edhe vendore t’i ndihmojnë shqiptarët pa dallim sa më shumë”, u shpreh Kurti.
Ai shtoi se duhet të ndihmojmë dhe mbështesim njëri-tjetrin në këto kohë të vështira.
“Populli po tregon solidaritet dhe do të duhet që institucionet dhe qeveritë ta organizojnë sa më mirë këtë gjë. Nuk duhet të bjerë përkushtimi sepse mund të duket që ka rënë rreziku”, tha Kurti.
Ndëkohë, dje Albin Kurti mori pjesë në varrimin e dy vëllezërve Abazi, të cilët u gjetën të vdekur nën gërmadhat e një hoteli në Durrës pas tërmetit të fuqishëm që goditi Shqipërinë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.