Art dhe Kulture

Albert Kamy, njeriu i revoltuar

Kur e pyetën një herë Albert Kamynë se cilat ishin dhjetë fjalët që atij i pëlqenin më shumë, ai u përgjigj: “Bota, dhimbja, toka, nëna, njerëzit, shkretëtira, nderi, mjerimi, vera, deti”. Ndërsa veçmas, tokën, qiellin dhe detin i përcaktonte si Atdheun e shpirtit të njeriut.

Të gjitha këto përbëjnë të “vërtetën e tij të Madhe”. Mendimin e tij të thellë, ai e zhvilloi vazhdimisht duke e lakuar me përvojën e jetës së tij, ndërsa krijimtarisë i dha fytyra të njëpasnjëshme dhe të shumëfishta me librat që shkroi.

Në veprën e shkëlqyer të Kamysë nuk di se çfarë të spikatësh, sepse ky shkrimtar, që iu përkushtua thelbësores, ishte njëkohësisht romancier, novelist, dramaturg,regjisor, eseist dhe filozof. Ai, që në intervistën e fundit është shprehur: “... Po unë s’jam i sigurt që jam modern...”, u bë një nga shkrimtarët më klasikë të modernitetit. Te Kamyja, të shkruarit ishte gjithmonë në shërbim të idesë, dhe në qendër të shqetësimeve të tij, ishte vetëm njeriu, midis dy poleve: absurdit dhe revoltës. Si shkrimtar, Kamyja i përket, pa dyshim, traditës së madhe të moralistëve klasikë. Ai ishte njeri i mendimit, por gjithashtu dhe një njeri i veprimit, që jetoi gjithë pasion, si “njeri i revoltuar”, si Promete i dobishëm për të gjallët.

Albert Kamy u lind në 7 dhjetor 1913 në një fshat të vogël algjerian.

Fëmijërinë dhe rininë, i kaloi në një lagje të mjerë të Algjerit, nën ndikimin e dyfishtë, që nuk do ta harronte kurrë, të varfërisë materiale dhe të shkëlqimit të diellit mesdhetar “Skamja nuk më la të besoj se gjithçka është e mirë nën diell dhe në histori, dielli më mësoi se historia nuk është gjithçka”. Nga i ati francez, vrarë në Luftën e Parë Botërore, Kamyja do të njohë vetëm një fotografi si dhe një histori domethënëse: shijen e keqe që i kishte lënë pamja e një ekzekutimi, ndërsa me të ëmën me origjinë spanjolle e cila fliste pak dhe me vështirësi ai lidhte gjithë ndjeshmërinë e tij. Mendohet se një pjesë e veprës së Kamysë është ndërtuar si një përpjekje për të plotësuar këtë mungesë dhe këtë heshtje ose për t’iu përgjigjur këtyre.

Albert Kamy

Qysh në moshën 17-vjeçare, Kamyja preket nga tuberkulozi që i përsëritet disa herë. Që në shfaqjen e parë, sëmundja i mësoi atij se ishte vetëm dhe i vdekshëm. Në atë kohë, falë profesorit të tij, Zhan Gënie, ai do të zbulonte filozofinë dhe, pas pak, do i lindte “dëshira për tu bërë shkrimtar”. Fillimisht i tunduar nga një konstatim idealist i artit dhe  i jetës ai arriti shumë shpejt në bindjen se të shkruajturit duhet të ishte një mjet për t’i shprehur besnikërinë botës së tij, që nuk njohu fëmijëri prej së cilës e shkëputi kultura, të cilës iu fut qysh në moshë të njomë.

Në shënimet e tij të vitit 1935, Kamy do të theksonte: “Më duhet të dëshmojë... nëse do të bëhesh filozof, shkruaj romane”. Dhe gjithë vepra e tij do të jetë një dëshmi për gjendjen njerëzore, për njeriun dhe në përkrahje të tij, duke qenë edhe vetë, si artist, një dëshmitar shembullor i kohës së vet.

Kamjya mishëron atë që Sartri do ta përshëndeste si “bashkim i adhurueshëm i një njeriu, i një veprimi, i një vepre”.

Në 17 tetor 1957, akademia suedeze nderon 40-vjeçarin Alber Kamy me çmimin “Nobel” në letërsi, me motivin që gjithë vepra e tij “nxjerr në dritë problemet, që i parashtrohen në ditët tona ndërgjegjes së njerëzve”. Por Kamynë nuk do ta qetësonte as lavdia e çmimit “Nobel”. Në atë kohë ai do të shprehej : “Vepra ime...është para meje”.

Përmasat e personalitetit të Kamysë nuk do të ishin të plota pa thënë se ai ishte gjithashtu edhe një “burrë Teatri”, ashtu si thuhet “burrë Shteti”. Kamyja ishte themelues dhe drejtor trupe, aktor, regjisor, përshtatës. Shija e tij plot pasion për teatrin, në atë që ky ka më konkrete, shkrihet me atë të festës kolektive, ku qenia njerëzore mund të tejkalojë vetminë e tij.

Sot, rreth 60 vjet pas vdekjes së Kamysë, veprat e tij vazhdojnë të ribotohen, të studiohen, të vihen në skenë dhe të ekranizohen. Ky sukses i madh, sidomos pranë të rinjve, shpjegohet me atë që ajo është dashuri për jetën.

Albert Kamy vdiq më 4 janar 1960 në një aksident automobilistik.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë