Sabina Veizaj- Akademik Albert Doja sherrin për Akademinë e Shkencave e konisderon jofitimprurës për vetë institucionin.
Sipas tij debatet rreth dhe për një institucion nuk bëhen në rrugë, por në institucion dhe me bashkësinë e institucionit.
Ai gjykon se Akademia e Shkencave duhet reformuar dhe në optikën e tij të rinovimit qëndrojnë tre shtylla për të cilat duhet të jetë përgjëgjëse kjo akademi sipas tij: Ligji programatik i zhvillimit shkencor, administrimi i bursave të ekselencës dhe administrimi i fondeve të kërkimit shkencor.
Akademik Albert Doja i cili është aktualisht anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Profesor titullar në Universitetin e Lilës në Francë dhe Profesor vizitues në Univeristetin e Harvardit në Boston SHBA e sheh kontributin për Akademinë e shkencave në dy drejtime; në kontributin akademik dhe atë të politikave akademike.
Kontributi i tij si antropolog kulturor ka qenë më së shumti gjatë viteve si akademik, por edhe kur ka kontrbuuar siç thotë vetë profesor Doja për gazetën “Si” me gjykime mbi politika të mundshme në lidhje me akademinë dhe nuk është dëgjuar, “kjo nuk më ka bërë të bëj potere në rrugë apo të shaj me shkrime”.
Profesor Doja bën një analogji të sherrit për Akademinë e Shkencave me situatën aktuale politike në vend.
“Të dalësh në rrugë, për mua nuk është gjë tjetër veçse të nxisësh politikën të hyjë në Akademi të Shkencave. Në një kohë që debati politik bëhet në Akademi, nuk bëhet në rrugë. Puna e debatit politik mbi Akademinë në rrugë është njëlloj si debati politik që po bëhet në rrugë. Kjo nuk ka të bëjë fare me politikën. Në rrugë ka vetëm rrugaçë. Nëse do të bësh opozitën, do ta bësh në institucionet opozitare. Sigurisht që edhe rruga është pjesë e institucioneve opozitare, por kur është e inkuadruar. Nëse del jashtë, je thjesht një rrugaç asgjë tjetër. Edhe politika akademike, nëse bëhet në rrugë, del jashtë binarëve institucionalë dhe nuk i shërben politikës akademike. Ti mund të bësh opozitë, por nuk mund të bësh opozitë mbi interesat kombëtare. E njëjta gjë është edhe në Akademi.”- shpjegon profesor Doja për gazetën “Si”.
Ai është kundër shkrirjes së Akademisë, por i mvesh këtij institucioni rol drejtues.
“Në këtë rast “Interesi kombëtar” i Akademisë është që ajo të fitojë një emër të mirë në fillim, por emri i mirë fitohet duke i dhënë një rol ku Akademia të japë direktivat, drejtimin e politikave shkencore në Shqipëri. Mendoj se Akademia duhet të hartojë e të përpilojë dhe të propozojë projektligjin programatik të kërkimit shkencor dhe të zhvillimit afatshkurtër, afatmesëm dhe afatgjatë. Kjo duhet të jetë detyra e Akademisë dhe e askujt tjetër. Akademia ka nisur të ndajë çmime, që është një gjë e mirë, por duhet ta përforcojë më shumë këtë aktivitet për tu bërë udhëheqës në fushën e kërkimit shkencor. Duhet të shtojë çmime për kërkime shkencore. E dyta që nuk është bërë ende , por që e kam propozuar, mendoj që Akademia mund të marrë përsipër shpërndarjen e bursave të ekselencës, nuk është detyrë e Ministrisë së Arsimit kjo, duhet të jetë detyrë e Akademisë së Shkencave. Gjithashtu të administrojë fondet për kërkimin shkencor.”- sqaron akademik Albert Doja.
Ai është gjithashtu kundër agjencive të ndryshme që merren me administrimin e fondeve për kërkimin shkencor. Por përqafon të qenit e Akademisë së Shkencave një agjenci drejtuese.
Tek e pyes se si i duket procesi i zgjedhjeve në Akademinë e Shkencave, ku për të katërta vendet vakante, përfshirë edhe vendin e kreut të Akademisë, ka nga vetëm një kandidaturë, profesor Doja më përgjigjet me një ngjarje që nënkupton një situatë të ngjashme.
“Për të qenë drejtues i Universitetit të Durrësit rreth 13 vite të shkuara, kam bërë një intervistë me videokonferencë ku anëtar komisioni qenë Myqerem Tafaji, Artan Fuga, Bardhyl Musaji, etj. Njëri prej tyre më ka bërë një pyetje me spec. Në atë kohë ziente debate për korrupsionin në arsim, mitmarrjen. Më kërkuan se si do ta zgjidhja si drejtues. Asnjë masë, as që nuk marr vesh për këtë punë, u thashë. Ky nuk është problem i Universitetit, por i shoqërisë. Unë kam për detyrë të bëj një universitet model që të zhvillojë menatlitetin e shqoërisë përmes edukimit. Nëse unë e bëj këtë, do të përmirësohet shoqëria. Nëse shoqëria përmirësohet, unë e bëra detyrën time dhe të jeni të sigurt që do të ketë më pak mitmarrje.” – më përgjigjet profesor Doja.
Akademik Albert Doja promovoi librin e tij “Shfaqja e Antropologjisë në Shqipëri”, nw mjediset e Akademisë së Shkencave, botim i këtij institucioni, i kuruara nga profesoreshë Enika Abazi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




