Shendet

Alban Ylli: Imunizimi i popullatës ka ulur infektimet

Në një prezantim në Akademinë e Shkencave, eksperti i shëndetit publik Alban Ylli ka shpjeguar se kemi riskun më të ulët në rajon për përhapjen e Covid-19 në popullatë.
Në mbledhjen e akademikëve Ylli është shprehur se nëse prirjet do të vijojnë në javët në vazhdim, me shumë gjasë, risku mund të bëhet i ulët.
“Kjo do të thotë një incidencë javore për 100 mijë banorë ka prej më pak se 50 infektime dhe një nivel mortaliteti javor prej rreth 1-2 për 100 mijë banorë,”ka deklaruar Ylli.

Yllit ka shpjeguar se situata në Tiranë është shkaku kryesor për prirjen e përgjithshme drejt uljes së infektimeve në Shqipëri. Sipas tij është vënë re se në valën e shkurtit, përqindja e pozitivitetit është ulur, krahasuar me vitin e kaluar dhe kjo ka të bëjë me imunizimin e popullatës. Ky fakt është konstatuar edhe më herët.. Ky tregues vijon të bjerë dhe aktualisht ndodhet midis 10 për qind dhe 5 për qind. Ylli ka shpjeguar se ky tregues është një nga parametrat që ndihmon për të përllogaritur raportin e prevalencës, që është raporti i numrit real të rasteve të infeksionit me rastet e diagnostikuara.

“Pavarësisht nga numri krahasimisht i lartë i rasteve aktive në Tiranë, ato nuk janë duke prodhuar shumë raste të reja. Ndërkohë që raporti i incidencës me nivelin e rasteve aktive është shumë më i lartë në Gjirokastër, Berat, Korçë, apo në rajone të tjera të vendit. Kjo dëshmon për një receptivitet dhe si pasojë risk më të lartë në këto qarqe krahasuar me Tiranën”, shpjegohet më tej në analizën e ekspertit.
Sipas Yllit në javët në vijim në Shqipëri “do të kemi një risk të moderuar ose të ulët. Ky përmirësim i nivelit të riskut ndodh në kontekstin e një situate globale jo të mirë. Sipas tij, risku në vendet fqinje, ashtu si në shumicën e vendeve të rajonit është më i lartë se në vendin tonë. Ndërsa për sa i përket një kohe më të gjatë Ylli ka shpjeguar që Shqipëria “|duhet të jetë i përgatitur për pandeminë e duke marrë shembull rasti e Iranit, ka shpjeguar se nuk duhet tërhequr vëmendja ndaj kujdesit, duke marrë parasysh që kemi në qarkullim dhe variante të reja”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë