Një valë e të nxehtit vazhdon të përfshijë pjesë të mëdha të Europës, me autoritetet në shumë vende që lëshojnë paralajmërime shëndetësore mes temperaturave përvëluese.
Spanja Jugore është rajoni më i prekur, me temperatura në mesin e 40 gradëve Celsius të regjistruara në Sevilje dhe zonat fqinje.
Një rekord i ri nxehtësie për qershorin prej 46 gradësh u shënua të shtunën në qytetin e El Granados, sipas shërbimit kombëtar të motit të Spanjës, i cili tha gjithashtu se ky muaj është në rrugën për të qenë qershori më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë.
Paralajmërimet për nxehtësi janë në fuqi në pjesën e Portugalisë, Italisë dhe Kroacisë, me paralajmërime të shumta të verdha që mbulojnë zona të Spanjës, Francës, Austrisë, Belgjikës, Bosnjës dhe Hercegovinës, Hungarisë, Serbisë, Sllovenisë dhe Zvicrës.
Në Itali, departamentet e urgjencës në të gjithë vendin kanë raportuar një rritje të rasteve të goditjes nga nxehtësia, duke prekur kryesisht “të moshuarit, pacientët me kancer ose të pastrehët”, tha për agjencinë e lajmeve AFP Mario Guarino, nënkryetar i Shoqatës Italiane të Urgjencës.
Spitale në Napoli kanë ngritur dhoma të dedikuara për goditjen nga nxehtësia për të përshpejtuar aksesin në ndihmën e shpejtë, qyteti i Bolonjës më në veri ka ngritur shtatë strehimore me ajër të kondicionuar dhe ujë të pijshëm, ndërsa Roma ka ofruar akses falas në pishinat e qytetit për personat mbi 70 vjeç.
Nxehtësia e madhe ka prekur edhe vendet në të gjithë Ballkanin Perëndimor ku temperaturat kanë arritur mbi 40 gradë Celsius.
Serbia regjistroi temperaturën më të lartë që nga fillimi i regjistrimit të saj në shekullin e 19-të. Në Slloveni, temperatura më e lartë e qershorit u regjistrua të shtunën.
Në Maqedoni të Veriut po bën gjithashtu vapë, pasi temperaturat arritën në 42 gradë Celsius të premten.
Disa zona do të vazhdojnë të nxehen, me temperatura që do të rriten në Francë, Gjermani, Itali dhe Mbretërinë e Bashkuar gjatë ditëve të ardhshme.
Alarme të verdha dhe të kuqe janë në fuqi për disa pjesë të dhe temperaturat në Londër mund të arrijnë 35°C.
Shkencëtarët në World Weather Attribution, të cilët analizojnë ndikimin e ndryshimeve klimatike në ngjarjet ekstreme të motit, thonë se valët e nxehtësisë së qershorit me tre ditë radhazi mbi 28°C kanë rreth 10 herë më shumë gjasa të ndodhin tani krahasuar me kohërat para-industriale.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.