Gazeta Si - Prokuroria e Tiranës ka kërkuar dënimin në mungesë me burg përjetë të shtetasit Roland Pula, i dyshuar si autor i vrasjes së dy vëllezërve Gramoz e Xhentil Bardhi në vitin 2020.
Pula, 36 vjeç, i shpallur në kërkim nga policia prej 4 vjetësh, rezulton të jetë element me precedent të mëparshëm penal kryesisht në vjedhje dhe kultivim të lëndëve narkotike.
Dy vëllezërit u qëlluan me kallashnikov për shkak të një konflikti të vjetër me autorin, ndërsa ndërruan jetë rrugës për në spital më 2020 në fshatin Gramëz të Krujës.
Organi i akuzës përmes prokurorit Enklid Gjini pretendon se ka dokumentuar përfshirjen e Pulës në masakër, duke kërkuar në Gjykatën Penale të Tiranës dënimin maksimal.
Ngjarja e 4 viteve më parë ndodhi pas sherrit që nisi në lokalin e fshatit, ku autori u zuri pritë pranë shtëpisë në errësirë duke i qëlluar me breshëri dy vëllezërit.
Në atë kohë u raportua se konflikti ishte vetëm vijim i përplasjeve që e kanë zanafillën në 19 gusht 2005, kur vëllai i Gramoz dhe Xhontil Bardhit, Eltoni plagosi me thikë Besnik Pulën.
Roland Pula ishte arrestuar në vitin 2008, ndërsa në 29 tetor 2010 u dënua me 6 muaj burgim për akuzën e “kanosjes” me armë, 4 muaj burg për akuzën e “plagosjes së lehtë me dashje” dhe 2 vjet burg për akuzën e “mbajtjes pa lejë të armëve luftarake”. Në bashkim të këtyre tre dënimeve, Roland Pula u dënua përfundimisht me 2 vite burg, ndërsa vijon të jetë në kërkim për vrasjen e dyfishtë të ndodhur para 4 vjetësh.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.