Dosje

Akuzohet për 2 vrasje me 4 viktima, kalon për gjykim dosja ndaj grupit të Talo Çelës

Gjykata e Posaçme ka kaluar për gjykim dosjen ndaj grupit të Talo Çelës, të cilët akuzohen për dy ngjarje kriminale me 4 viktima.

Kështu, për gjykim ka kaluar dosja për Besian Xhixha, Enver Diva, Altin Ndoci dhe për bashkëpunëtorin e drejtësisë, Klevis Alla.

Për të pandehurit Talo Çela dhe Nuredin Dumani, gjykata pezulloi me një vit çështjen, për shkak se ata ende nuk janë arrestuar.

Çela është një nga njerëzit më të kërkuar të drejtësisë shqiptare për disa vepra penale, mes tyre vrasjet e Dorian Shkozës, Anxhelo Avdisë dhe vëllezërve Besmir e Viktor Haxhia.

Pas atentatit të dy vëllezërve Haxhia, prokuroria bashkoi dy dosjet, të Haxhiajve dhe të dy të rinjve që u ekzekutuan në 2 mars 2020, pasi vëllezërit Haxhia kishin njohje dhe marrëdhënie miqësore me dy viktimat, Shkoza dhe Avdia.

Dorian Shkoza dhe Anxhelo Avdia u ekzekutuan më pak se 1 km nga vendi ku u ekzekutuan vëllezërit Haxhia, me të njëjtën mënyrë e mekanizëm.

Sipas hetimeve të SPAK, Çela kishte kohë që përgatiste dy vrasjet në mars dhe prill 2020, ndërkohë që lëvizte i qetë. Ndërkohë, eliminimi i Haxhiajve dyshohet se e ka zanafillën në grabitjen e 6.4 milionë eurove në pistën e aeroportit të Rinasit më 9 prill 2019.

Ata dyshohet se janë vrarë nga Nuredin Dumani, Altin Ndoci dhe Talo Çela. Ata qëlluan nga një automjet që drejtohej nga Klevis Alla, i arrestuar dhe i penduar para drejtësisë.

Ky i fundit ka dëshmuar para hetuesve se si u planifikua vrasja dhe cili ishte motivi, ndaj dhe SPAK kërkoi këtë të mërkurë gjykatës pushimin e pjesshëm të hetimeve për Allën. 

Akuzat ndaj anëtarëve të tjerë të grupit

Personi i dytë i akuzuar është Nuredin Dumani, edhe ky në kërkim prej disa kohësh. Akuzohet për vrasje në rrethana të tjera cilësuese ndaj dy ose më shumë personave më shumë se një herë, armëmbajtje pa lej, sigurim i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje, mashtrim dhe vjedhje të kryer në bashkëpunim. Njësoj si Talo Çela, Nuredin Dumani akuzohet se ka krijuar grup të strukturuar kriminal dhe vetë është në rolin e krijuesit.

Personi i tretë është Altin Ndoci, i cili është me masë sigurimi “arrest në burg”, i akuzuar për “Vrasja në rrethana te tjera cilësuese”, ndaj dy ose më shumë personave, e kryer më shumë se një  herë,“Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armve shperthyese dhe i municionit”, të kryera në bashkëpunim të veçantë atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, (në rolin e pjesëmarrësit) dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”.

Besian Xhixha, me masë sigurimi “arrest në burg”, akuzohet për “Sigurimit të kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”, kryer në bashkëpunim, “Mashtrim” të kryer në bashkëpunim.

I akuzuari i fundit është Enver Diva, me masë sigurimi “arrest në burg”, i akuzuar për “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”, kryer në bashkëpunim.

Dëshmia e bashkëpunëtorit të drejtësisë

Sipas bashkëpunëtorit të drejtësisë, Klevis Alla, i shumëkërkuari Talo Çela ka patur një konflikt me viktimat të cilëve u kishte lënë në ruajtje një shumë parash që nuk ia kishin kthyer. Vëllezërit Haxhia pretendonin se shuma e parave ishte grabitur në servisin e tyre, pas një vjedhje që kishte ndodhur në Janar të 2020-s.

Këto para dyshohet se janë grabitur në aeroportin e Rinasit.

Nga ana tjetër, Nuredin Dumani dyshohet që të ketë marrë pjesë në vrasjen e dy vëllezërve. Mendohet se ai është personi që ka kontraktuar Besian Xhixhën dhe Enver Divën. Talo Çela akuzohet edhe për vrasjen e Anxhelo Avdiajt dhe Dorian Shkozës më 2 mars 2020.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë