Politike

Dhuna në Bulqizë/ Xhelal Mziu: Inskenim i organizuar nga PS! Berisha i del në mbrojtje

Nga Gazeta ‘Si’- Drejtuesi politik i Partisë Demokratike për qarkun e Dibrës, Xhelal Mziu, ka reaguar pas njoftimit të policisë se bashkë me nipin e tij ka dhunuar një zyrtar lokal në Ostren të Bulqizës, pas një takimi elektoral.

Në një deklaratë publike, Mziu mohoi përfshirjen në ndonjë incident të tillë, duke e cilësuar ngjarjen si një inskenim të organizuar nga përfaqësues të Partisë Socialiste dhe duke akuzuar strukturat shtetërore për intimidim ndaj qytetarëve dhe manipulim të fakteve.

Gjithashtu ndërsa tregon një tjetër version të historisë, ai i bën thirrje SPAK-ut të nisë hetime të menjëhershme dhe të sekuestrojë pamjet filmike të zonës.

“Në takimin e Ostrenit, në mënyrë demonstrative, punonjësi i ndihmës ekonomike në Bashkinë Bulqizë po intimidonte pjesëmarrësit, ku një pjesë u larguan pas këtyre kërcënimeve dhe një pjesë tjetër shprehën shqetësimin për heqjen e ndihmës ekonomike.

Pas shqetësimit që ngritën vetë banorët e kësaj zone, kam komunikuar me personin në fjalë që rrinte përpara vendit të takimit, dhe i kam kërkuar të mos intimidojë qytetarët, e aq më tepër të mos përdorë pozicionin e punës për shantazhimin e qytetarëve me heqjen e ndihmës ekonomike në rast të mbështetjes dhe votimit për Partinë Demokratike. Madje e kam paralajmëruar se për veprimet e tij të paligjshme do ta kallëzoj në Prokurori. Pas paralajmërimit për denoncomin e tij, personi në fjalë ka komunikuar me përfaqësues të Partisë Socialiste dhe Kandidatin e kësaj force, të cilët ndodheshin pak metra më larg, çka  konfirmon se e gjitha ishte e inskenuar dhe organizuar për të shantazhuar qytetarët.

Në pak minuta para vendit ku u mbajt takimi i përfaqësuesve të opozitës, kanë mbërritur Jeton Dani, babai i kandidatit të PS dhe mbështetës të tij dhe kanë ushtruar dhunë barbare ndaj kryetarit të Forumit të PD Bulqizë. Për të shuar konfliktin ka ndërhyrë kryetari i PD Bulqizë avokat Shaqir Manjani të cilin e kanë goditur pas shpine.

Sjellja e Policisë ngre dyshimet për dijeni apo në mos të jetë e përfshirë në këtë ngjarje, pasi jo vetëm që manipuloi ngjarjen dhe shpërndau një informacion të rremë, por ka refuzuar që të marrë denoncimin e drejtuesve të PD Bulqizë”, shkruan Mziu.

Ndërkohë, kreu i PD Sali Berisha i doli në mbrojtje Mziut. Në konferencën për shtyp, Berisha e konsideroi si “kurth” këtë ngjarje.

“Me militantë fanatikë socialist ndaj udhëheqësit politik të Dibrës, kurth dhe provokacion pasi e shohin se nuk po ngjisin kurrkund, shohin situatën politike dhe zgjodhën të provokojnë Mziun. Kurth prej provokatorësh të ulët”, tha Berisha.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë