Ngjarje

Akuzat për pastrim parash, reagon Rezart Taçi: Vendim i pakuptimtë, nuk ka asnjë provë

Rezart Taçi e ka cilësuar si të pakuptimtë vendimin e SPAK që e ka shpallur në kërkim si të akuzuar për pastrim parash. Në një reagim, teksa ndodhet në arrati, Taçi thekson se nuk ka prova dhe fakte ndaj tij.

“Unë nuk arrij ta kuptoj se si mund të nxirret ndaj meje një urdhër i tillë arresti. Nuk ka asnjë provë, asnjë fakt. Është një vendim tërësisht i pakuptimtë”.

Mbi lidhjen që pretendohet në shkresën nga SPAK se ai ka me biznesmenin italian Francesco Zummo, sipërmarrësi ka thënë se ai as nuk e njeh 90-vjeçarin dhe nuk e ka idenë se kush ai është.

Ndërsa, mbi vendimin, ai deklaroi se do ta ankimojë menjëherë dhe ka vënë në lëvizje avokatët e tij për këtë çështje. Ai ka theksuar se nuk ndodhet në Shqipëri personalisht, por hapat e mëtejshëm do t’i ndjekin përfaqësuesit e tij ligjorë.

SPAK njoftoi sot se ka sekuestruar shumën prej 18 milionë euro, ndërsa ka shpallur në kërkim Rezart Taçin dhe ka arrestuar dy njerëzit e tij, Bledar Lilon dhe Artur Balla me akuzat për pastrim parash.

Në këtë hetim janë përfshirë dhe 3 shtetas italianë banues në Palermo. Të tre përfaqësojnë një seri biznesesh në Palermo dhe qytete të tjera dhe dyshohet se janë të lidhur me rrjetet mafioze të “Cosa Nostra”.

Duke e cilësuar një persekutim disa vjeçar, ai tregon se ku konsiston përfshirja e tij në këtë histori. “U informova nga avokatët e mi. Jam kontaktuar disa muaj më parë nga një profesionist, ekonomist i Francesco Zummo, më ka thënë përmes një mikut tim të përbashkët, a mund të na ndihmosh të hapim një numër llogarie. U kam thënë jam shkëputur dhe shkoni të operoni në mënyrë ligjore. Kaq është përfshirja ime. Kur dëgjoj që SPAK që më ka shpallur në kërkim si bashkëpunëtor i krimit”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë