Politike

Akuzat për paligjshmëri / PS-PD bëhen bashkë: Të ndërpritet gara për drejtorin e RTSH! Në të kundërt, shkarkohen anëtarët e Këshillit

Nga Gazeta ‘Si’–  Komisioni i Medias do t’i kërkojë zyrtarisht Këshillit Drejtues të RTSH ndërprerjen e garës për zgjedhjen e drejtorit të ri të përgjithshëm.

Kjo lëvizje e parlamentit vjen pas akuzave për paligjshmëri të procesit dhe të një gare jo transparente, pasi Këshilli skualifikoi kandidatët me pretendimin se nuk plotësojnë kriteret.

Si rrallëherë, edhe opozita edhe mazhoranca janë në një linjë dhe në mbledhjen e Komisionit u dakordësua që nesër do t’i drejtojnë Këshillit Drejtues shkresën zyrtare ku do t’i kërkohet që mos të vijojnë garën për përzgjedhje. Të premten është parashikuar dëgjesa me dy kandidatët e vetëm që Këshilli la në garë, Jetmir Shpuzën dhe drejtoren në detyrë, Aurora Polo.

Nga ana tjetër, kryetarja e Komisionit, Ina Zhupa thotë se nëse nuk pranojnë që të ndërpresin procesin, PD do kërkojë shkarkimin e anëtarëve.

“Jemi dakord, të përfshijmë në shkresë edhe faktin që këtë detyrim që i japim për të ndërprerë procesin, nëse nuk e zbatojnë, ne pala e opozitës (do të kërkojmë shkarkimin e tyre nga Këshilli Drejtues). T’ia vendosim që nëse nuk zbatojnë këtë kërkesë të komisionit ne do të jemi të detyruar të vazhdojmë me procedurën parlamentare të anëtarëve të këshillit të drejtimit.

Të 5 që përfaqësojnë pakicën parlamentare në këshillin drejtues, jemi të gatshëm t’i shkarkojmë, dhe t’i kërkojmë Kuvendit emërimin e të tjerëve në përputhje me ligjin, se është krijuar ideja në këshillin drejtues që ata s’kanë çfarë bëjnë se na kanë zgjedhur se s’do bien dakord me njëri tjetrin PS-PD dhe mendojnë se janë pronarë de facto të RTSH. Unë shpreh vullnetin tim në emër të grupit të PD që nëse nuk ndërpresin procesin, që të hënën fillojmë procedurat për procedurat e shkarkimit”, tha Zhupa.

Zhupa kërkoi që të thirren në një seancë llogaridhënieje, të gjithë anëtarët e Këshillit Drejtues të RTSH-së.

“Jemi ne që i japim paratë publike RTSH-së. Ajo nuk është pronë private e anëtarëve të Këshillit, e askujt atje të komanduar apo të pakomanduar, të askujt që luan fije sa andej këndej, por pronë publike e shqiptarëve që paguajnë nga buxheti i shtetit 23 milionë euro në vit.

Të çohet një shkresë zyrtare në emër të komisionit, në pikën e parë të ketë ndalimin e menjëhershëm të të gjitha procedurave dhe të mos ketë asnjë marrje vendimi në këtë garë që konsiderohet nga Kuvendi i Shqipërisë e paligjshme dhe duhet të ketë mbikëqyrje parlamentare. Në pikën e dytë të ketë datën dhe orën në të cilën ata do të sillen në seancën dëgjimore”, u shpreh ajo.

Ndërkohë, nënkryetarja Evis Kushi tha se gara duhet të jetë e hapur, transparente dhe meritokratike.

“Të bëhemi bashkë për ta ndjekur dhe për të mos lejuar shkelje të tilla. RTSH është një institucion me interes të lartë publik dhe ne kemi përgjegjësinë edhe t’i caktojmë edhe t’i lirojmë anëtarët e Këshillit sipas ligjit, por kemi edhe detyrim që t’i monitorojmë dhe t’u kërkojmë llogari në ato raste kur ata nuk përmbushin detyrimet që kanë sipas ligjit dhe statutit”, tha ajo.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë