Drejtësia

Akuzat për fshehje pasurie, SPAK: 1 vit burg për ish-gjyqtarin e Kushtetueses

Gazeta Si - SPAK ka kërkuar 1 vit burg për ish-gjyqtarin e Gjykatës Kushtetueses Fatos Lulo, i cili akuzohet për refuzim për deklarim, mosdeklarim ose fshehje pasurie.

Dënimi thotë SPAK, të pezullohet, duke u konvertuar në 2 vjet shërbim prove. Sipas SPAK, Lulo ka një bilanc negativ të të ardhurave në dy pasuri, një apartament në Tiranë dhe në një zyre 172 m2 e deklaruar si e dhuruar në Rrugën e Durrësit.

Lidhur me këtë dosje, Lulo pritet që në seancën e radhës të paraqesë argumentet e tij për të kundërshtuar akuzën.

Gjyqtari Kushtetues u shkarkua nga Shkalla e Parë e Vettingut më 23 mars 2018, vendim i lënë në fuqi edhe nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit, ku i është sekuestruar një dyqan me sipërfaqe 172 m2 në Tiranë.

Ish-gjyqtari ka deklaruar se dyqanin në Rrugën e Durrësit në Tiranë, me vlerë 120 mijë euro, ia ka bërë dhuratë motra.

Kjo e fundit, sipas tij, i ka dhuruar edhe 100 mijë euro, ndërsa ka marrë hua edhe 480 mijë euro. Por, komisionet e Vetingut kanë konstatuar se motra e Fatos Lulos nuk ka pasur të ardhura të ligjshme financiare për të blerë dhe më pas dhuruar dyqanin me vlerë 120 mijë euro.

Një emër i njohur në sistemin e drejtësisë, Lulo është eliminuar nga Vettingu në shkallën e parë dhe të dytë për shkak të vendimeve  të diskutueshme mbi persona të lidhur me krimin.

Mes tyre, është edhe ajo ajo e ekstradimit të Almir Rrapos drejt SHBA-së. Lulo vendosi të rrëzojë dy gjykatat më të ulëta, duke mos e ekstraduar Rrapon, i cili do të gjykohej në SHBA për vrasje.

Një tjetër çështje e rëndësishme në duart e Fatos Lulos, ishte ajo e uljes së dënimit për Edmond Begon, alias Manoli Bega.

Nga 21 vite burg që ishte dënuar në Itali, Lulo ia uli dënimin Begos me 4 vite e 4 muaj në Shqipëri, dënim, të cilin nuk e kreu asnjëherë.

Më 28 prill, SPAK vendosi sekuestrimin e një dyqani me sipërfaqe 172 m2, në rrugën e Durrësit në Tiranë në pronësi të tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë