Lajme

Akuzat për Balilin, Meta: Dorën ia kam dhënë, por nuk e njoh!

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka përgënjeshtruar se ka pasur lidhje apo njohje me Klement Balilin, i dorëzuar pak ditë më parë tek autoritetet policore dhe i akuzuar si “Eskobari i Ballkanit” për shkak të drejtimit nga ana e tij të një grupi që trafikonte drogë në Europë.

I ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit”, Meta ka shpjeguar në lidhje me këtë çështje: “Në kohën që kam drejtuar LSI-në, Rigers Balili (nipi i Kelmend Balilit) që është kryetar i Delvinës është një person i verifikuar nga të gjithë, siç janë verifikuar të gjithë kryetarët e bashkive, proces vetingu, ku u përfshinë dhe ambasadat, ishte një person tërësisht i besueshëm dhe me të dhënat e duhura për të kandiduar, – deklaron Meta. – Unë s’e kuptoj se çfarë lidhje mund të thuhej apo çfarë mbështetje ka pasur ky veçanërisht kur është akuzuar. Për sa i takon raportit, s’mund të them që nuk i kam dhënë dorën në rastin e përurimit të Santa Quaranta-s, por s’kam pasur asnjë takim të veçantë. Asnjëherë s’më është thënë nga policia apo SHISH, ‘shiko që mos kontakto me ketë person se ka këtë apo ato probleme’.

Meta sqaroi se Presidenti kërkon luftë pa kompromis kundër trafiqeve, korrupsionit, “madje edhe sikur të jetë edhe djali i Presidentit, se po dëmtohet imazhi i vendit dhe ata shqiptarë të ndershëm që jetojnë në botë”.

Sipas Metës, histori të tilla akuzash janë të neveritshme. “Kur është akuzuar, kam kërkuar mbledhje të sigurisë kombëtare dhe kam kërkuar arrestimin e tij. Pak kohë më parë, për këtë çështje, i kam thënë edhe partnerëve tanë më të rëndësishëm. Unë si president nëse s’besoni se policia, agjencitë tona, s’kanë vullnetin për ta arrestuar këtë personin, jam gati të sillni forca speciale, logjistike për të arrestuar këtë apo çdo person që duhet të përgjigjet para drejtësisë”, – vijoi Meta.

Vetë Balili nga deklarimet e tij të bëra në media, ka pohuar se u emërua si drejtor i Transporteve në Sarandë pas kontributit që kishte dhënë për Lëvizjen Socialiste për Integrim në zgjedhjet e vitit 2013.

Më pas Meta iu kthye edhe një herë përplasjes me kryeministrin Rama dhe mosdekretimit të ministrit të Jashtëm, Gent Cakaj.

“Unë nuk kam asnjë problem me kryeministrin, por nuk mund të mos zbatoja Kushtetutën përballë një rasti të tillë, sepse Presidenti është garant i interesave shtetërore dhe interesit kombëtar. Nuk kam asnjë gjë me Gent Cakajn, nuk e njoh, por Rama nuk është treguar bashkëpunues, por edhe unë nuk mund të eksperimentoja. Jemi vend i NATO-s dhe duhet të kemi besueshmëri. Shkarkimin e Bushatit nuk e dekretova, pikërisht sepse vendi nuk mund të lihej në dorë të një zv.ministri, aq më tepër që këtë forcë ma jep Kushtetuta e bazuar në ligj”, – theksoi Meta.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë