Gazment Bardhi ka kërkuar në fillim të seancës të së enjtes futjen në rendin e ditës të mocionit me debat lidhur me prodhimin e lëndëve narkotike në Shqipëri. Në thelb kërkesa lidhet me akuzat që ai ka adresuar ndaj Olsi Ramës, vëllait të kryeministrit të vendit, se ka pasur kontakte me njerëz që drejtonin laboratorin e drogës në Xibrakë.
“Në shkelje të Rregullores ju shkelët një çështje që është shqyrtuar në konferencën e kryetarëve. Nuk e keni sjellë në seancë plenare. Grupi parlamentar i PD, ka paraqitur kërkesë për mocion me debat sa i takon prodhimit shitjes së lëndëve narkotike në vend. Bazuar në shqetësimin si vend prodhues i lëndës narkotike, dhe vend tranzit. Lufta e qeverisë ka favorizuar grupe kriminale në tregtimin e narkotikëve. Keni marrë përsipër të bëni avokatinë e Olsi Ramës. Morët urdhër politik për ta bllokuar. Por keni detyrim të shpjegoni pse e bllokoni. Kemi detyrim për 10 minuta kohë të shpjegojmë pse duhet futur mocioni në seancë. Nuk mund të mbyllni Kuvendin se pse nuk keni mbyllur dot procedimin penal për zotin Rama”, tha Bardhi.
Kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Bledi Çuçi, tha se se për këto çështje është ezauruar debati politik.
“Ne nuk pranuan as rendin e ditës për ta diskutuar këtë çështje se është ezauruar nga drejtësia dhe Kuvendi. Po të lexosh kërkesën e bërë nga grupi i PD, duket qartë që referencat lidhen duke filluar nga grupi Habilaj që është hetuar, janë marrë vendime nga gjykatat, për të vijuar me Xibrakën që është hetuar gjykuar dhe mbi të gjitha edhe një debat politik është bërë në Kuvend për këto çështje. Ka pasur edhe një komision hetimor që e ka ezuaruar debatin politik. S’ka arsye që të ketë mocion dhe debat për këto çështje”, iu përgjigj Çuçi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.