Gazeta Si - Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha ka përgënjeshtruar akuzat e opozitës se policët e FNSH-së kanë qenë të armatosur gjatë përplasjes me deputetët e PD te Kuvendi.
Nga Shkodra, ai ka thënë se sulmi ndaj policëve dhe gardistëve është i papranueshëm, sepse kanë qenë duke mbrojtur institucionet.
“Keqardhje për opozitën, që ushtroi dhunë ndaj punonjësve të policisë dhe gardës, që ishin atje për të kryer detyrën. E drejta e tubimit garantohet nga ana e punonjësve të policisë, ndërsa e drejta e dhunës, goditjes, shkatërrimit, goditjes së policisë, nuk tolerohet, - u shpreh Hoxha. - Policia është shprehur qartë se nuk ka pasur asnjë tentativë të nxjerrjes së armës nga efektivi”.
Sipas tij, “në ligjin për tubimet është e përcaktuar nga rastet kur përdoren armët e zjarrit, nuk kanë pasur dhe s’kanë qenë të pajisur me armë zjarri. Sulmi i deputetëve ndaj policisë dhe gardës, në prag të marrjes së ditës së negociatave dhe anëtarësimit së Shqipërisë në BE, nuk është i pranueshëm, sepse forcat e policisë dhe Garda është për të mbrojtur institucionet kushtetuese”.
Hoxha theksoi se “forcat e policisë kanë qenë para Kuvendit për të bërë detyrën dhe mbrojtjen e institucioneve, ndjej keqardhje që forma dhe mënyra e intimidimit dhe imponimit të kësaj mazhorance me mjete shkatërruese djegëse, nuk është forma e duhur dhe ndesh me parimet e demokracisë”.
Ministri shtoi se mosbindja civile është një term që po keqpërdoret nga opozita. “Policia është për të ruajtur rendin dhe qetësinë publike konform ligjeve, asnjë kapërcim tjetër nuk do lejohet në kuadër të mbrojtjes së institucioneve”, - tha Hoxha.
Partia Demokratike hodhi akuza kur deklaroi se një prej efektivëve të ndërhyrjes së shpejtë i tregoi armën deputetit të Partisë Demokratike, Luan Baçi, në perimetrin e oborrit të Parlamentit gjatë protestës së opozitës.
Ky episod ka shkaktuar tensione dhe ka ngjallur reagimin e ashpër të deputetëve të opozitës, të cilët iu kundërvunë fizikisht të njëjtit efektiv që preku armën.
Vetë policia, në një reagim të një dite më parë, 17 tetor, hodhi poshtë pretendimin e PD duke thënë se polici në bazë të ligjit për tubimin nuk ka pasur armë me vete, por vetëm spraj piper për mbrojtje.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.