Lajme

Akuza në rrjetet sociale për “show”, Rama: Studentë, u poqët!

Dalja e paralajmëruar e Kryeministrit Edi Rama përballë një grupi studentësh në emisionin Top Show në Top Channel u parapri nga qarkullimi disa orë më parë i një lajmi, ku shfaqej një faksimile e një bisede WhatsApp-i në një grup të pretenduar si të ngritur nga Partia Demokratike.

Në këtë bisedë dy ishin emrat që binin në sy, ai i Flamur Nokës dhe i Grida Dumës. Kjo e fundit shihet në faksimilen në fjalë të ketë “udhëzuar” aktivistët e FRPD-së që të bllokonin Zogun e Zi. Lajmi qarkulloi pikërisht pak pasi rreth orës 17:00, gjysma e studentëve protestues u shkëputën nga turma përballë Ministrisë së Arsimit dhe bllokuan rrethrrotullimin e Zogut të Zi.

Partia Demokratike reagoi përmes një deklarate zyrtare duke e cilësuar montazh, ndërkohë faksimilen në fjalë, ndërkohë që në rrjetet sociale grupi dhe faqe të rinjsh kanë nisur bërë krahasimet. Në njërën prej tyre thuhet se sfondi i faksimiles së shpërndarë nëpër protale e rrjete sociale, madje edhe nga vetë deputeti socialist, Erion Braçe, nuk përputhej me sfondin origjinal të WhatsApp-it, madje ishte gjetur edhe burimi i këtij sfondi, që ishte rrjeti social Reddit.

Mes amullisë së shkaktuar nga ky lajm dhe krisjes së protestës në tre pjesë, ku një grup i stacionua para godinës së Qeverisë, Kryeministri Edi Rama nisi bashkëbisedimin e tij me studentët në emisionin Top Show.

Gjatë gjithë protestës para Ministrisë së Arsimit, thirrjet kryesore dhe më të shpeshta të studentëve ishin sërish “Jo negociata” dhe ata paralajmëronin se studentët që do të shfaqeshin në Top Show nuk përfaqësonin protestuesit. Studentët i trembeshin faktit se në studio do të shkonin studentë anëtarë të FRESH-it.

Mes studentëve të pranishëm rrjetet sociale “identifikuan” jo vetëm disa “freshistë”, por edhe persona që nuk ishin fare studentë. Megjithatë, sërish Kryeministri Edi Rama u vu në vështirësi në disa momente.

https://www.facebook.com/Lolita.ime/posts/1984220821879343

Anxhela Bakiasi, studente në Masterin për Financë në Universitetin Bujqësor të Tiranës iu drejtua Kryeministrit duke i thënë se kërkesat nuk kanë pse të negociohen, por duhet të realizohen. Ajo solli në kujtëse një shembull të thjeshtë.

“Të marrim kartën e studentit. Rreth 4 vite më parë e premtuat, por ja ku jemi sot dhe unë ende nuk e kam një kartë studenti”, iu drejtua ajo.

Kryeministri iu përgjigj se kartën e nxjerrin universitetet dhe si shembull solli Akademinë Marubi, që sipas tij ka pajisur me kartë studentët prej vitesh. Por, deklarata e kreut të Qeverisë u kundërshtua nga studentja në fjalë duke i kujtuar se për kartën e studentit ndërhyn edhe Bashkia.

Kryeministri Edi Rama u shpreh i gatshëm që të plotësojë kërkesat e studentëve, por pyetjes së përse këto kërkesa nuk u realizuan deri më tani iu përgjigj duke drejtuar gishtin nga drejtuesit e universiteteve.

Ai thotë se tani është koha për të realizuar jo vetëm këto pika, por për të shkundur Universitetin dhe protestën e sheh si shenjë pjekurie e studentëve.

“Tani u bëtë ju gati që të merrnit gjërat në dorë, se po ta nisja unë do ju çonin në këmbë ata që administrojnë universitetin duke ju thënë që Edi Rama kërkon të kapë universitetin”, u shpreh ai.

Rama kërkoi dialog për të hartuar një plan 3-vjeçar ku të trajtohen dhe marrin zgjidhje të gjitha problematikat e ngritura nga studentët.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë