Art dhe Kulture

Aktorja e madhe Tinka Kurti feston 89-vjetorin

“Nuk e kam frikë plakjen e as vdekjen, por kam frikë nga plakja e trurit dhe në qoftë se ky moment vjen në jetën time, mendoj se do të isha dy herë e vdekur. Për këtë arsye dua të vazhdoj të punoj”, kështu do të shprehej aktorja Tinka Kurti disa vite më parë.

Tinka Kurti, një nga emrat më të vlerësuar të teatrit e kinemasë shqiptare, feston sot ditëlindjen e 89-të të saj, por ajo vazhdon të jetë ende aktive, duke qenë e pranishme në aktivitete të ndryshme.

Kurti konsiderohet si një prej emrave më të rëndësishëm të aktrimit, me një karrierë të suksesshme ndër vite.

Teatri dhe kinemaja i kanë falur jo pak momente të bukura, por dhe të vështira, dhe sot ajo është ndër aktoret që vlerësimin e ka jo vetëm brenda kufijve shqiptarë, por dhe jashtë tyre.

Teatri Migjeni, institucioni ku Kurti ka shënuar histori i ka uruar sot aktores 89-vjetorin e lindjes.

“Sot, më 17 dhjetor 2021, mbushen plot 89 vite nga lindja e aktores së shquar, Tinka Kurti ‘Nderi i Kombit’. Të paçim sa më gjatë pranë nesh, e lumtur dhe plot shëndet!”, shkruhet në faqen e Teatrit Migjeni.

Sot ajo numëron rreth 300 role në teatër e kinema dhe sa herë që është ngjitur në skenë sukseset e kanë shoqëruar nga pas.

Tinka Kurti u lind në Sarajevë, por familja e saj u shpërngul në Shkodër kur ajo ishte në moshë të vogël. Pjesën më të madhe të jetës e kaloi në Shkodër, ku edhe iu bashkua teatrit që në moshë të re.

Ajo do të ngjitej për herë të parë në skenë kur ishte vetëm 16 vjeçe. Për disa vjet u aktivizua në teatrin amator në Shkodër. Më 1947 u përjashtua nga Liceu Artistik i Tiranës dhe nuk mori asnjëherë ndonjë diplomë shkolle, por kjo nuk e pengoi të bëhet një aktore e madhe.

Që nga viti 1949 e deri sa doli në pension ishte aktore e Teatrit “Migjeni” të Shkodrës, ku interpretoi rreth 120 role. Veçanërisht ajo shquhet për rolet e forta dramatike të nënave, por po kaq e suksesshme në komedi. Ajo ka shkëlqyer me role protagoniste në “Gjaku i Arbrit”, “Histori Irkutase”, “Fisheku në pajë” apo “Fejesa e Çehovit”.

Kurti ka interpretuar edhe në kinema, në rreth 35 filma artistikë, duke filluar me filmin e parë shqiptar të metrazhit të gjatë, “Tana”, më 1958.

Ndër rolet e tjera janë Nënë Pashako tek “Yjet e netëve të gjata” (1972), nëna tek “Çifti i lumtur” (1975), Sinjorina Mançini tek “Vajzat me kordele te kuqe” (1978), Gjyshja tek “Zemra e nënës”, nënën e Halit Beratit te “Gjeneral Gramafoni”, doktoreshë Keti, te filmi “Unë e dua Erën”, Dila te “Besa e Kuqe”, etj.

Tinka Kurti ka marrë çmime të shumta, si në festivalet kombëtare të filmit, ashtu edhe në ato të teatrit. Këtyre çmimeve u shtohen edhe vlerësime të tjera të rëndësishme, si medalja “Mjeshtër i Madh i Punës”, akorduar nga Presidenti i Republikës.

Në vitin 2003, regjisori shqiptar Esat Teliti realizoi një dokumentar të titulluar thjesht “Tinka” kushtuar jetës së saj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë