Njerez

Aktori Sean Penn rrëfen përvojën në Ukrainë: Pse u arratisa në këmbë

Sean Penn, nga Shtetet e Bashkuara në një lidhje me emisionin “Che tempo che fa”, në RAI 3, ka rrëfyer përvojën e tij në Ukrainë, ku vetëm pak javë më parë kishte shkuar për të xhiruar një dokumentar mbi krizën, duke u larguar nga vendi menjëherë pas pushtimit rus.

“Isha i tronditur nga niveli i unitetit që ka treguar vendi, nga forca dhe guximi i jashtëzakonshëm: është shumë e qartë në frymën e ukrainasve se askush nuk i mishëron të gjitha këto gjëra më shumë se presidenti Zelensky”, tha ai.

“Munda ta takoj dhe e gjeta jashtëzakonisht të vendosur, të fortë në dashurinë e tij për lirinë, për ëndrrat, për njerëzit, për atë që ka kuptim për të gjithë ne. Ta shihje në sy atë ishte një frymëzim”. Aktori më pas shpjegoi disa detaje të tjera të angazhimit të tij në Ukrainë: “Fillova xhirimet e dokumentarit në Mariupol në nëntor, intervistuam ushtarët në vijën e parë, më pas u kthyem në Kiev, për të filmuar aspektet kulturore të jetës në Ukrainë, me një fokus te Zelensky. Kur u ktheva dhe qëndrova katër ditë, arritëm të organizonim një takim me të një ditë para pushtimit”.

Detajet e takimit

Duke iu përgjigjur pyetjeve të Fazios, Penn la më shumë se një përshtypje për presidentin ukrainas. “Nuk mund ta di se çfarë mendonte, apo nëse e dinte se kishte lindur për të përballuar atë që po kalon. Deri në ditën kur filloi gjithçka, brenda nesh kishte shpresë se kjo çmenduri nuk do të ndodhte, por mendoj se ukrainasit ishin të përgatitur për këtë skenar të tmerrshëm, më të keqin që mund të ndodhte”. Pas shpërthimit të luftës, aktori dhe regjisori kalifornian kaloi kufirin në Poloni në këmbë, duke takuar dhjetëra refugjatë: “Ata kishin pak gjëra me vete, ndoshta sepse mendonin të ktheheshin ose sepse kishin lënë shtëpitë e tyre me nxitim. Asnjëri prej tyre nuk donte të largohej”.

Edhe në ditët e para, menjëherë pas pushtimit, “ishte e vështirë të dilje fizikisht nga Kievi: na u deshën 24 orë për të përfunduar një udhëtim 7 orësh”. “Kur të duhet të bësh një udhëtim prej shumë kilometrash, duhet të organizohesh mirë: i kam parë këta njerëz që e bëjnë këtë me guxim të jashtëzakonshëm. Do të jetë një moment historik, veçanërisht për vendet tona që pyesin veten: çfarë të bëjmë?”.

Kthimi në Poloni

Më pas, duke folur për perceptimin e konfliktit në Shtetet e Bashkuara, ai deklaroi: “Ka një mbulim mediatik 24 orë për krizën ukrainase, shpesh me cilësi të lartë, por ndonjëherë edhe të kritikueshme. Por sipas sondazheve, 85-90%, në të gjithë spektrin politik, janë në favor të popullsisë ukrainase. Ekziston një faktor frikësimi që po përdor zoti Putin, referenca për armët bërthamore dhe lloje të tjera tmerresh që çon në të qenit shumë i kujdesshëm”, tha ai përsëri. Penn do të kthehet “në Poloni më 28, ndoshta edhe në Ukrainë, për t’u përpjekur të japë një dorë, qoftë edhe me ndihmën bazë, duke punuar gjithashtu me organizatat lokale të shoqërisë civile”. Në fund, duke folur për publikimin e dokumentarit të tij, ai tha: “Shpresojmë sa më shpejt, por na duhet më shumë kohë për të pasqyruar atë që po ndodh”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë