Kinema

Aktori Robert De Niro, i padiplomuar kurrë dhe me një karrierë legjendare

Nga Gazeta Si - Aktori Robert De Niro Jr lindi më 17 gusht 1943 në Nju Jork, në lagjen Greenwich Village dhe mbush plot 79 vjeç. Ai është fëmija i vetëm i Robert De Niro Sr., një artist abstrakt me origjinë italiane dhe i Virginia Admiral, poete dhe piktore, me të cilën ai rritet në Itali pas divorcit të saj nga burri në ‘45.

Lidhja me Italinë

Gjyshërit e De Niro Sr. erdhën nga qyteti Ferrazzano, në provincën e Campobasso, dhe u nisën për në Amerikë në 1890 me mbiemrin Di Niro, i raportuar gabimisht në De Niro kur ata zbarkuan në Shtetet e Bashkuara. Që nga viti 2004, Roberti është gjithashtu një italian i vërtetë, pasi ka marrë nënshtetësi nderi në shenjë vlerësimi për karrierën e tij filmike.

Debutimi

Roli i parë në skenë i De Niros erdhi në moshën 10-vjeçare, kur ai interpretoi luanin në “The Wizard of Oz”. Karriera e tij shkollore nuk shkoi shumë më tej, pasi aktori i ardhshëm e la shkollën e mesme për t’u marrë me aktrim me kohë të plotë.

Metodat

Për t’u përgatitur për rolin ikonik të Travis Bickle në “Taxi Driver”, De Niro mori një licencë të vërtetë për të drejtuar një taksi dhe endej rrugëve të Nju Jorkut për disa fundjavë në fshehtësi.

Oscar

De Niro dhe Marlon Brando do të fitonin të dy çmimin e Akademisë për interpretimin e të njëjtit personazh, Don Vito Corleone nga saga Godfather, përkatësisht në vitet 1975 dhe 1973. Fitorja e dyfishtë ndodhi përsëri vetëm në 2009 dhe 2020, kur Heath Ledger dhe Joaquin Phoenix u shpërblyen për personazhin e Joker.

Familja

De Niro ka gjashtë fëmijë, nga tri marrëdhënie të ndryshme: në vitin 1971 ai adoptoi vajzën e madhe të gruas së tij Diahnne Abbott, me të cilën më vonë do të ketë edhe Raphaelin; me Toukie Smith në vitin 1995 kishte binjakët Julian Henry dhe Aaron Kendrik si nënë surrogate dhe së bashku me Grace Hightower, me të cilën ishte i martuar nga viti 1997 deri në 2018, kishte djalin biologjik Elliot dhe Helen Grace si nënë surrogate.

Festivali i Filmit TriBeCa

Pas sulmeve të 11 shtatorit 2001, Robert De Niro, Jane Rosenthal dhe Craig Hatkoff themeluan Festivalin e Filmit TriBeCa për t’i dhënë jetë të re dhe perspektiva të reja lagjes Tribeca në Manhatan. Pas debutimit të tij në vitin 2002, festivali është bërë një nga ngjarjet më të rëndësishme në kinemanë e pavarur të Nju Jorkut.

Marrë nga Il Corriere della Sera, përshtati në shqip Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë