Ghazaal Habibyar është në një vendpushim turistik shqiptar, e sigurt me bashkëshortin e saj dhe tre fëmijët, pasi u evakuuan nga Afganistani. Por mendja e saj nuk është e qetë, sepse shumë të tjerë që ajo njeh, janë ende në rrezik nga talebanët.
Habibyar, 38 vjeçe, është e shqetësuar për familjen e saj të madhe dhe për mbi 180 njerëzit e vrarë në aeroportin e Kabulit vetëm një orë para ngritjes kaotike të avionit që do ta transportonte.
Familja e saj, përfshirë një vajzë 2-muajshe dhe aktivistë të tjerë të të drejtave të njeriut, hipën në një autobus për 36 orë duke u përpjekur të gjejnë një hyrje në Aeroportin “Hamid Karzai” të Kabulit.

Pak para se të hipnin në aeroplan të enjten, ata dëgjuan “aq shumë zhurmë në ajër”, sa u tha se fluturimi mund të anulohej. Pas 40 minutash, ata hipën në bordin e avionit, i cili u ngrit në një mënyrë të frikshme vertikale për të shmangur të shtënat.
Sulmi vetëvrasës i së enjtes në aeroport nga një anëtar i grupit të Shtetit Islamik, vrau të paktën 169 afganë dhe 13 anëtarë të shërbimit amerikan.
“Ka raste në jetë kur ndihesh fajtor që je gjallë. Ata mund të kishim qenë ne”, tha ajo. “Ata njerëz që kanë humbur jetën, kanë familje, janë njerëz shumë të rinj”. Ajo dhe familja e saj, janë mes 457 afganëve që janë vendosur në Shqipëri që nga e premtja.

Aktualisht, një aktiviste me Fondacionin për Shoqërinë e Hapur, Habibyar nuk mundi ta mbaronte shkollën në shtëpi kur ishte e re, duke pasur frikë nga qëndrimi i talebanëve ndaj grave dhe arsimit, kështu që ajo u diplomua në Australi. Përkundër mundësive jashtë vendit, ajo u kthye në Kabul në vitin 2006.
Që atëherë ajo ka punuar në shumë pozicione publike, duke përfshirë edhe zëvendës-ministren e Minierave, “duke u përpjekur për të bërë një ndryshim, ndoshta të vogël, për ta bërë atë një vend më të mirë”.
Ajo thotë se Afganistani ka ndryshuar për mirë në dy dekadat e fundit, duke deklaruar se “nuk është Afganistani i vitit 1996.”

Por në provincat e qeverisura nga talebanët, “shkollat e vajzave u mbyllën. Gratë nuk lejoheshin të punonin”. “Nëse kjo është një dëshmi për atë që do të ndodhë me të gjithë vendin, ne duhet të largohemi”, – shtoi ajo. Megjithatë, ajo është kritike për mënyrën se si SHBA dhe NATO u larguan nga vendi.
“Kjo katastrofë njerëzore që po ndodh tani, mund të ishte parandaluar. I gjithë ky proces evakuimi mund të ishte menaxhuar shumë më mirë”, – vijon gruaja.
Habibyar nuk është e sigurt për atë që e pret në të ardhmen e saj, duke thënë se “do të na duhet shumë kohë që të shërohemi psikologjikisht, mendërisht, emocionalisht nga gjithçka që kemi kaluar”.
Asaj i mungon kryeqyteti afgan, Kabuli, “frutat në anë të rrugës që kaloja kur shkoja në zyrë” dhe cicërimat e zogjve në mëngjes.
Ajo i kërkoi një premtim djalit të saj, Hamza, 6 vjeç, kur avioni u ngrit. I mituri ishte duke qarë dhe nuk donte të largohej. “Unë i thashë se do të më bësh një premtim: të studiosh, të jesh dikush dhe të kthehesh”, – theksoi Ghazaal.

Burimi: The “Associated Press”; Përshtati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




