Policia përcolli të premten në mbrëmje një njoftim të hollësishëm mbi goditjen e mashtrimit kompjuterik, nëpërmjet subjekteve call center.
Policia njoftoi se janë ekzekutuar masat e sigurisë “Arrest në burg”, për 2 shtetas 30 dhe 29 vjec. Ndërkohë janë bllokuar 11 pasuri të paluajtshme në pronësi të tyre.
Numri i viktimave të këtij mashtrimi të madh në internet llogaritet në qindra persona dhe në një vlerë të përafërt 15 milionë euro.
Gjatë operacioneve policore të zhvilluara në datat 13, 14 dhe 15 dhjetor 2022 u angazhuan shërbime policore të Shqipërisë dhe të Italisë.
Ky operacion policor u zhvillua në Shqipëri dhe në Itali, ku u kontrolluan qendra thirrjesh, banesa dhe ambiente të ndryshme. Në kuadër të operacionit janë shoqëruar, arrestuar dhe shpallur në kërkim persona të dyshuar në lidhje me këtë aktivitet kriminal.
Operacioni policor i koduar “HOAX” nisi në Tiranë, më datë 13 dhjetor.
Në bashkëpunim dhe me ekspertët italianë të fushës kibernetike, janë kontrolluar 13 ambiente.
Gjatë kontrolleve në këto ambiente u gjetën dhe u sekuestruan: 450 euro, 18 700 lekë, 162 pajisje kompjuterike (njësi kompjuterike, servera, dvr etj), 1 aparat celular, dokumente në gjuhën italiane, kontrata pune, libreza pune, fatura banke, vula të përdorura për aktivitetin e jashtëligjshëm etj.
Fusha e veprimtarisë së këtij rrjeti kriminal u arrit të ndërtohej nëpërmjet një aktiviteti hetimor, i cili është kryer dhe nëpërmjet metodave speciale të hetimit, si në mënyrë tradicionale, ashtu dhe në rrjetet kompjuterike.
Fazat e veprimtarisë së rrjetit kriminal:
Faza e parë: Qasja fillestare konsistonte në garantimin e një përfitimi të menjëhershëm ekonomik kundrejt një investimi të vogël të viktimave, i cili shërbente për t’i bindur ata të investonin. Më pas, viktima, duke u konsultuar me një platformë mashtruese në internet, krejtësisht fiktive, bindej nëpërmjet një ndërmjetësuesi të rremë, që të investonte gjithnjë e më shumë para.
Faza e dytë: Krijohej një “marrëdhënie besimi” midis investitorëve dhe këshilltarëve financiarë të rremë, i cili lejonte këta të fundit (përmes një programi kontrolli të veçantë në distancë) të hynin në faqet personale bankare të viktimave, duke marrë kështu njohuri për të dhënat dhe gjendjen ekonomike të këtyre të fundit dhe duke arritur, në shumë raste, për t’i bindur ata të investojnë të gjithë kapitalin ekonomik që kishin në dispozicion.
Faza e tretë: Viktimat që zbulonin mashtrimin duke kërkuar marrjen e investimit, kontaktoheshin nga anëtarë të tjerë të vetëquajtur të kompanive të mbledhjes së borxheve, të cilët i bindnin të paguanin para shtesë për të rikuperuar shumat e humbura ose e shtynin të merrte aksione në kompani të reja, të krijuar nga vetë të dyshuarit.
Gjatë hetimit u konstatua se, nëpërmjet këtyre veprimeve, viktimat janë bindur të investojnë në kriptovaluta dhe në fund iu kanë përvetësuar shumat e marra dhe më pas janë bërë të paarritshëm për t’u kontaktuar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




