Policia ka ndërmarrë një aksion masiv në Tiranë, Elbasan, Vlorë dhe Shkodër, katër qytetet më problematike përsa i përket situatës së rendit publik dhe ku muajt e fundit janë regjistruar atentate të bushme të tipit mafioz.
Në qendër të aksioneve, siç mësohet nga policia janë personat e skeduar, të dyshuarit për trafik droge dhe kontrollet për armëmbajtje.
Aksioni filloi në Elbasan, ku policia vendore e mbështetur edhe nga forcat RENEA ushtroi kontrolle në disa lokale dhe ndërtesa. Bilanci i aksionit ishte pesë të persona të arrestuar për posedim droge dhe armëmbajtje pa leje.
Në Tiranë, burime të Gazetës Si pohojnë se aksioni i policisë, edhe këtu i mbështetur nga forcat RENEA, Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe efektivët e policisë vendore është përqëndruar në zonën e Astirit, Kombinatit dhe të Komunës së Parisit.
Në Tiranë, policia nuk dihet ende nëse ka persona të arrestuar. Ndërkohë, në Vlorë aksioni është përqëndruar në lokale dhe disa banesa, që nga mënyra se si janë paraqitur efektivët e policisë për kontroll duken të shënjestruara që më parë dhe jo rastësore. Nuk ka ende informacion nga Vlora për persona të ndaluar.
Në Shkodër, aksioni i policisë, mbështetur nga RENEA dhe FNSH u përqëndrua në hyrje të qytetit, ku u kontrolluan automjetet dhe personat e dyshimtë që qarkullonin në to.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




