Drejtësia

Aksidentoi për vdekje me ‘Jet ski’ mikun e tij në plazhin e Velipojës, burg për italianin

Gazeta Si - Gjykata e Shkodrës ka caktuar masën e sigurisë “burg me afat 50 ditor" ndaj shtetasit italian, Salvadore Di Tella, i akuzuar për veprën penale “vrasje nga pakujdesia”, për vdekjen e bashkëkombësit të tij, Nicola Iorio, 19 vjeç gjatë përplasjes me "Jet ski" javën e shkuar në Velipojë.

Gjykata e përfaqësuar nga Arta Llazari ka kërkuar grumbullimin e të gjitha provat mjeko-ligjore dhe ekspertizën navale. I akuzuari i përfaqësuar nga avokati Arbër Rraja ka deklaruar në sallën e gjyqit se ngjarja ka qenë aksidentale.

Në seancën me dyer të mbyllura ishin të pranishëm babai i të akuzuarit bashkë me konsullin italian në Shkodër.

Në sallën e gjyqit, italiani Di Tella nuk ka dhënë asnjë deklaratë duke i qëndruar deklarimeve që ka bërë më përpara në polici. Në policinë vendore të Shkodrës pas ngjarjes Di Tella ka rrëfyer me pak fjalë si ka ndodhur ngjarja. “Jemi përplasur më pëprara se Nicola të binte në det. Disa minuta më pas ka ardhur një dallgë e madhe dhe Nicola ka rënë në ujë dhe aty më pas ka humbur jetën. Është një fatkeqësi ajo që na ka ndodhur”, mësohet të ketë thënë Di Tella në polici.

Ndërkohë avokati mbrojtës Arbër Rraja kërkoi masën e sigurisë “detyrim paraqitje” me garanci pasurore 5 milion lekë ose në alternativë kërkoi masën e sigurisë “arrest shtëpie” në banesën e personit që i ka ftuar në Shqipërinë për ceremoninë martesore atë dhe të fejuarën e tij por gjykata përmes gjyqtares Arta Llazari vendosi “arrest me burg” me afat deri më 16 tetor.

Avokati Rraja gjatë mbrojtjes në seancën e masës së sigurisë deklaroi se ajo që ka ndodhur është një fatkeqësi familjare. Avokati ka dorëzuar 20 fotografi të viktimës dhe autorit të dyshuar për të vërtetuar miqësinë e tyre të afërt dhe lidhjen familjare që kanë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë