Futboll

Aksidenti me një të vdekur ndalon punimet te “Arena Kombëtare”

“Arena Kombëtare” nuk pritet të përfundojë në afatin e përcaktuar, në muajin qershor. Këtë herë shkak nuk është bërë ndonjë çështje administrative apo problem që lidhet me financimin e stadiumit të ri. Është ngjarja e rëndë e pak ditëve më parë, ku humbi jetën një nga punëtorët, e cila ka sjellë pezullimin e punimeve në këtë impiant. Punëtori u raportua se humbi jetën aksidentalisht gjatë punës dhe nuk mundi t’i mbijetojë plagëve të marra.

Sakaq këtë të hënë inspektorja e punës, Irena Gjoka, ka njoftuar se puna në kantierin e stadiumit “Arena Kombëtare” do të ndërpritet deri në momentin që të hetohen të gjitha shkaqet që çuan në vdekjen e 40-vjeçarit pasditen e së shtunës. Mësohet se hetimi do të kërkojë zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, por edhe të kompanisë që po kryen ndërtimin e stadiumit dhe kullës, për të mësuar më shumë për kushtet në të cilat punojnë punëtorët. Punimet do të rifillojnë vetëm pas përfundimit të të gjitha hetimeve në lidhje me këtë ngjarje të rëndë dhe ende nuk ka një afat se sa do të zgjasë ky pezullim.

Kjo ngjarje shtyn akoma dhe më tej inaugurimin e stadiumit të shumëpritur në Tiranë, i cili ka filluar nga ndërtimi që në vitin 2016. Për momentin punimet në “Arenën Kombëtare” janë në fazën e tyre finale, ku po punohet për mbulesën dhe fasadën e stadiumit, për t’i lënë më pas vendin fillimit të punimeve për fushën e blertë, vendosjen e stolave dhe punimet e brendshme dekorative. Në fundin e vitit të shkuar u aludua për një inaugurim të stadiumit në muajin qershor të këtij viti, çka do të thoshte se kombëtarja mund të rikthehej në kryeqytet pas më shumë se 5 vite “emigrim” në Elbasan dhe Shkodër. Por me këtë ngjarje dhe ritmin e punimeve, afati më real për ta parë të përfunduar stadiumin e ri në Tiranë do të mbetet fundi i këtij viti.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë